75 Mall Live Search
17:27 / E Hënë, 24 Nëntor 2025 / F.R

Të drejtat e reja televizive për Champions-in, ja si ndahen fitimet mes pesë ligave kryesore

Ndikimi amerikan në futbollin europian po rritet me ritme të shpejta.

Lëvizja më e fundit që e konfirmon këtë është ndarja e re e të drejtave të transmetimit të Ligës së Kampionëve për ciklin 2027–2031, ku Paramount+ ka dalë fitues në tregjet kryesore të kontinentit.

Paramount+ merr paketën kryesore në Britani dhe Gjermani

Platforma amerikane ka siguruar paketën kryesore të ndeshjeve të Champions League në Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani, duke zëvendësuar respektivisht TNT Sports dhe DAZN. Mediat ndërkombëtare raportojnë se Paramount+ ka paraqitur oferta edhe në tre tregjet e tjera të mëdha europiane.

Në Spanjë, Telefónica ka ruajtur të drejtat për të gjitha garat europiane të klubeve përmes Movistar Plus+, falë një kontrate prej 1.464 miliardë eurosh. Megjithatë, lajmi më i rëndësishëm është hyrja e Paramount+ si një fuqi e re e madhe audiovizuale në futbollin europian — një platformë që tashmë paguan 1.3 miliardë euro për të drejtat e Champions-it në SHBA për periudhën 2024–2030.

Si ndahen të drejtat në Britani dhe Gjermani

Në Mbretërinë e Bashkuar:

Paramount+: paketa kryesore e Champions-it

Amazon Prime Video: një paketë ndeshjesh

BBC: momente kryesore (highlight-et)

Sky Sports: ekskluzivisht Europa League dhe Conference League

Në Gjermani, modeli është pothuajse identik:

Paramount+: paketa kryesore e Champions-it

Prime Video: ndeshje individuale

ZDF: momente kryesore

DAZN: të drejtat ekskluzive të Europa League dhe Conference League

Italia dhe Franca: stabilitet me pak ndryshime

Në Itali, struktura mbetet thuajse e pandryshuar:

Prime Video ruan ndeshjen e saj elitë të së mërkurës

Sky transmeton 184 ndeshje, një më pak se cikli aktual

Ndryshimi i vetëm: Amazon do të marrë një ndeshje ekskluzive shtesë në javën e parë të grupeve, për dy ditë radhazi (të mërkurën dhe të enjten)

Në Francë, situata është pothuajse identike me atë të Spanjës:

Canal+ mbetet investitori kryesor në futbollin europian të klubeve

TF1 ka siguruar transmetimin falas të finales së Champions-it, duke paguar rreth 2 milionë euro në vit

Ligue 1 mbetet jashtë interesit të Canal+, duke e zhvendosur fokusin drejt garave ndërkombëtare

Edhe pse UC3 — sipërmarrja mes UEFA-s, EFC (ish-ECA) dhe kompanisë amerikane Relevent — nuk arriti të shesë të drejta ekskluzive globale për ndeshjen hapëse të çdo edicioni, organizatorët kanë bërë të ditur se kërkesa thishtë “e paparë” nga rrjetet televizive dhe platformat streaming.