75 Mall Live Search
10:05 / E Hënë, 22 Dhjetor 2025 / L A

Arteta beson te titulli: Këtë herë jemi gati ta kthejmë avantazhin në sukses

Mikel Arteta ka rritur bindjen se Arsenali mund të shkojë deri në fund në garën për titullin e Premier League këtë sezon.

Trajneri spanjoll theksoi se fakti që skuadra e tij kryeson tabelën në Krishtlindje i jep besim dhe siguri se “Topçinjtë” janë më të pjekur për ta shndërruar këtë epërsi në sukses final.

Arsenali u rikthye në vendin e parë pas fitores minimale 1-0 ndaj Evertonit, falë penalltisë së shënuar nga Viktor Gyökeres-i. Një triumf që, sipas Artetës, konfirmon vazhdimësinë dhe nivelin e lartë të paraqitjeve të skuadrës së tij në një kampionat tepër konkurrues.

“Është shumë e vështirë të jesh vazhdimisht në krye në këtë ligë. Kjo tregon se ekipi është aty, i qëndrueshëm dhe i fortë mendërisht”, u shpreh Arteta, duke nënvizuar se Arsenali ka përballuar tashmë momente të vështira dhe është gati për sfidat që e presin.

Trajneri i londinezëve vlerësoi edhe mentalitetin e lojtarëve, veçanërisht përgjegjësinë e marrë në fushë, duke e cilësuar këtë si një shenjë tjetër se Arsenali ka hedhur hapa përpara në rrugën drejt titullit.