75 Mall Live Search
15:19 / E Diele, 18 Janar 2026 / L A

Evra “godet” yllin e Cityt pas derbit: Kur nuk e respekton Unitedin, ja çfarë ndodh

Manchester United ka regjistruar një fitore dominuese 2-0 ndaj Manchester Cityt në derbin e zhvilluar në “Old Trafford”, duke u ngjitur në pesëshen e parë të Premier League.

Skuadra e drejtuar nga Michael Carrick, në ndeshjen e tij të parë si trajner i përkohshëm, dha një paraqitje mbresëlënëse që ndezi entuziazmin e tifozëve.

Golave të fitores iu vunë firma Bryan Mbeumo dhe Patrick Dorgu, ndërsa “Djajtë e Kuq” ishin skuadra më e mirë gjatë gjithë takimit. United pati edhe tri gola të anuluar për pozicione jashtë loje, duke konfirmuar dominimin e tyre në fushë.

Nga ana tjetër, kjo humbje përbën një goditje të fortë për ambiciet e Manchester Cityt për titull, pasi kampionët në fuqi tashmë janë shtatë pikë larg Arsenalit kryesues.

Në qendër të vëmendjes pas ndeshjes ishte Rayan Cherki. Francezi, i cili iu bashkua Cityt gjatë verës, ishte shprehur më herët hapur kundër Unitedit, duke deklaruar se mezi priste t’i përballej për t’i “shkatërruar”. I futur si zëvendësues në pjesën e dytë, Cherki u prit me fishkëllima nga tifozët e Unitedit, të cilët nuk i kishin harruar deklaratat e tij.

Një video e momentit kur Cherki largohej nga fusha mes vërshëllimave u shpërnda gjerësisht në rrjete sociale, duke nxitur reagimin e legjendës së Unitedit, Patrice Evra. Ai shkroi në Instagram:
“Lojtar i mrekullueshëm, por kur nuk e respekton Unitedin, kjo është ajo që merr. FOREVRA RED.”

Paraqitja e Unitedit u vlerësua lart edhe nga Gary Neville. Ish-mbrojtësi dhe analisti i Sky Sports e quajti këtë një nga performancat më të mira të klubit ndër vite:
“Kjo është një nga paraqitjet më të mira që do të shihni nga një Manchester United, në çdo epokë. Ju mund të luani ende në këtë mënyrë në futbollin modern – sapo e pamë për 90 minuta.”

Sfida për Carrick tani do të jetë ruajtja e këtij niveli në 16 ndeshjet e mbetura, teksa United synon kualifikimin në Ligën e Kampionëve.

Ndeshja e radhës për “Djajtë e Kuq” është transferta e vështirë ndaj Arsenalit në “Emirates”, ndërsa Manchester City do të udhëtojë drejt Norvegjisë për përballjen me Bodo/Glimt.