75 Mall Live Search
18:00 / E Premte, 06 Shkurt 2026 / Gj Sh

Tifozët e Senegalit që u arrestuan në Kupën e Afrikës futen në grevë urie

18 tifozë senegalez, të arrestuar pas finales së Kupës së Kombeve të Afrikës (AFCON) kundër Marokut, kanë nisur një grevë urie që prej kësaj të premteje, në shenjë proteste ndaj asaj që ata e cilësojnë si mohim të së drejtës për drejtësi.

Sipas raportimit të RMC Sport, tifozët janë akuzuar për huliganizëm dhe për akte të dhunës ndaj forcave të rendit gjatë finales së zhvilluar në Rabat, shkruan IndeksOnline.

Arrestimet ndodhën pas incidenteve në stadium, ku pati tensione mes tifozëve dhe policisë pas disa vendimeve të diskutueshme në ndeshje.

Avokati i tyre ka deklaruar se të ndaluarit pretendojnë se procedurat gjyqësore ndaj tyre nuk kanë qenë të drejta dhe se nuk janë informuar siç duhet për akuzat konkrete. Sipas tij, greva e urisë është një akt dëshpërimi për të tërhequr vëmendjen e autoriteteve dhe opinionit publik ndërkombëtar.

Tifozët kërkojnë një proces të drejtë dhe transparent, duke theksuar se do të vazhdojnë grevën e urisë deri në momentin që çështja e tyre të trajtohet në mënyrë të rregullt ligjore.

Autoritetet marokene nuk kanë reaguar ende zyrtarisht lidhur me grevën e urisë./IndeksOnline/