75 Mall Live Search
13:47 / E Mërkurë, 11 Shkurt 2026 / P M

Tender milionësh për sigurimin fizik në QKUK përfundon në prokurori me dyshime për shkelje

Një tender me vlerë mbi 1 milion euro, i dhënë nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) për “Sigurimin fizik të objekteve të QKUK-së”, ka nxitur dyshime për shkelje të procedurave të prokurimit dhe pretendime për montim të procesit tenderues.

Kontrata në vlerë prej 1,002,349.35 eurosh për një periudhë 5-mujore i është dhënë kompanisë “Defence Security”, përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

Një palë e pakënaqur pretendon se në këtë tender ka pasur parregullsi, duke theksuar se kompanitë e ftuara në negociim, përveç asaj fituese, nuk kanë qenë reale në interes dhe se i gjithë procesi është zhvilluar në kohë të shkurtër.

Burime të Indeksonlinet kanë treguar se dyshimet me prova për këtë tender janë dorëzuar në prokurori.

Lidhur me këto pretendime, Indeksonline ka kontaktuar edhe drejtorin e QKUK-së, ndërsa përmes përgjigjeve zyrtare të ushtruesit të detyrës së shefit të sektorit të prokurimit, Besnik Cenaj, QKUK-ja e ka arsyetuar procedurën e ndjekur, duke e lidhur atë me vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagës minimale.

Sipas QKUK-së, bazuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 10/273, të datës 31.10.2025, për përcaktimin e pagës minimale dhe pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, Autoriteti Kontraktues (AK) – QKUK ka nxjerrë vendim për anulimin e aktivitetit të prokurimit të zhvilluar me procedurë të hapur. Arsyeja, sipas tyre, ka qenë se përcaktimi i ri i pagës minimale i bënte ofertat e pranuara të parealizueshme.

Kundër këtij vendimi, një operator ekonomik ka paraqitur kërkesë për rishqyrtim dhe më pas ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Sipas QKUK-së, ankesa në OSHP ka krijuar një situatë të zgjatur në kohë, duke rrezikuar funksionimin normal të shërbimit të sigurimit fizik, sigurinë e institucionit dhe interesin publik.

“Në këto rrethana, AK-ja është detyruar të veprojë sipas nenit 35.2.1 (iii) të Ligjit për prokurimin publik, duke udhëhequr procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, për shkak të emergjencës dhe rrezikut serioz për funksionimin normal të shërbimit”, thuhet në përgjigjen e Cenajt.

Sipas të dhënave të QKUK-së, kontrata paraprake për 6 muaj kishte vlerën 1,138,507.29 euro, me pagë bazë prej 402 euro bruto për një punëtor. Ndërsa me hyrjen në fuqi të vendimit të ri, paga minimale nga 1 janari 2026 është 425 euro bruto, ndërsa nga 1 korriku 2026 do të jetë 500 euro bruto.

Për këtë arsye, kontrata aktuale është lidhur vetëm për 5 muaj, me mundësi shkëputjeje në rast se hyn në fuqi një kontratë e re që do të zhvillohet me procedurë të hapur. QKUK-ja thekson se përdorimi i procedurës emergjente ka qenë mjeti i vetëm ligjërisht i arsyeshëm dhe proporcional për të garantuar vazhdimësinë e shërbimit.

Sa i përket pretendimeve për kompaninë fituese, QKUK-ja ka sqaruar se “Defence Security” nuk është regjistruar në vitin 2025, por në vitin 2023.

Aktualisht, QKUK-ja është në pritje të vendimit të OSHP-së dhe ka bërë të ditur se do të veprojë në përputhje me vendimin që do të merret nga ky institucion./Indeksonline/