75 Mall Live Search
13:58 / E Enjte, 26 Shkurt 2026 / S Z

Mblidhet KE i FSHF-së / Zgjidhen dy zv.presidentët, miratohet fushata promovuese për fanellat e reja dhe “Fan zone” për ndeshjen ndaj Polonisë

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit zhvilloi sot mbledhjen e parë pas Asamblesë së përgjithshme të zakonshme zgjedhore. Nën drejtimin e presidentit Armand Duka, komiteti zgjodhi zëvendëstresidentë për katërvjeçarin e ardhshëm, Lufti Nuriun dhe Geri Çipin.

Gjithashtu, FSHF-ja do të prezantojë së shpejti fanellat e reja të Kombëtares A. Kuqezinjtë do të zbresin në fushë me fanellat e reja në ndeshjen historike të play-off-it ndaj Polonisë.

Komiteti ekzekutiv miratoi realizimin e një fushate promovuese që do të shoqërojë këtë moment me rëndësi sportive dhe emocionuese. Aktiviteti parashikon realizimin e një spoti televiziv, i shoqëruar me promovim në rrjetet sociale dhe kanale të tjera, me qëllim rritjen e ekspozimit të Kombëtares dhe përforcimin e lidhjes me tifozët.

Po ashtu, Komiteti ekzekutiv miratoi organizimin e një “Fan zone” në ambientet e shtëpisë së futbollit, në kuadër të ndeshjes play-of për Kupën e Botës mes Polonisë dhe Shqipërisë më 26 mars 2026. “Fan zone” do të ofrojë transmetim live të ndeshjes, muzikë live me këngëtar dhe DJ, aktivizime promocionale, pije për tifozët, etj.

Aktiviteti do të realizohet në bashkëpunim me partnerët e FSHF-së, Vodafone, Credins Bank, Uji Tepelenë dhe Birra Vatan, me qëllim krijimin e një eksperience unike dhe përfshirjen e tifozëve. Të gjitha detajet e këtij organizimi do të bëhen të ditura në vijim.