Efekti Ronaldo, Almeria bëhet sensacion dhe korr sukseset e para
Klubi spanjoll Almería po përjeton një rritje të jashtëzakonshme në rrjetet sociale, vetëm pak ditë pasi u konfirmua hyrja e yllit portugez Cristiano Ronaldo si aksionar i klubit.
Almería ka fituar më shumë se 2 milionë ndjekës të rinj në Instagram brenda vetëm 24 orëve, një shifër që tregon ndikimin e madh që ka Ronaldo, shkruan IndeksOnline.
Dy ditë më parë u bë e ditur se ish-futbollisti i Real Madridit bleu 25% të aksioneve të klubit, duke hyrë zyrtarisht në projektin e ri të Almerías. Lajmi shkaktoi reagim të menjëhershëm në rrjetet sociale, ku mijëra tifozë nga e gjithë bota nisën të ndjekin klubin spanjoll.
Ekspertët e marketingut sportiv e konsiderojnë këtë si një nga rritjet më të shpejta të një klubi evropian në rrjete sociale, duke dëshmuar edhe një herë fuqinë mediatike dhe ndikimin global që Ronaldo vazhdon të ketë jashtë fushës së lojës.
Me hyrjen e tij si aksionar, pritet që Almería të fitojë jo vetëm në aspektin e imazhit dhe marketingut, por edhe në zhvillimin sportiv dhe investimet afatgjata./IndeksOnline/

