75 Mall Live Search
14:38 / E Diele, 08 Mars 2026 / L A

Verstappen i pakënaqur me rregullat e reja, paralajmëron tërheqjen nga Formula 1

Katër-herë kampioni i Botës në Formula 1, Max Verstappen, ka lënë sërish të kuptohet se mund të tërhiqet nga sporti, duke kritikuar rregullat e reja të kampionatit dhe duke kërkuar ndryshime nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit.

Piloti holandez u shpreh se makinat e reja të Formula 1 janë gjithnjë e më shumë të varura nga energjia e baterive dhe menaxhimi elektronik në makinë, pas ndryshimeve të mëdha në rregullore që janë bërë në dekadën e fundit. Sipas tij, kjo po e largon sportin nga thelbi i tij.

Ai i ka cilësuar më herët makinat e reja si “Formula E me steroide” dhe theksoi se nuk përfaqësojnë më “F1 të pastër”.

Pas garës hapëse të sezonit në Melbourne, ku përfundoi në vendin e gjashtë pasi startoi nga vendi i 20-të për shkak të një aksidenti në kualifikuese, Verstappen u pyet sërish për të ardhmen e tij në këtë sport.

“Unë e dua garën, por gjithçka ka një kufi. Shpresoj që FIA dhe Formula 1 të dëgjojnë dhe të marrin masa,” tha ai.

Sipas pilotit, kritikat nuk vijnë vetëm nga ai, por edhe nga shumë pilotë dhe tifozë të sportit. “Ne thjesht duam më të mirën për këtë sport. Nuk kritikojmë për të kritikuar, por sepse kemi arsye. Duam një Formula 1 të vërtetë, si në steroide, por sot nuk është kështu,” shtoi ai.