75 Mall Live Search
11:45 / E Premte, 13 Mars 2026 / Z S

Kusari-Lila: Kosova po forcon mekanizmat për mbrojtjen e konsumatorëve

Me mijëra ankesa vit pas viti adresohen nga konsumatorët në Kosovë sa i përket produkteve jo të sigurta ushqimore të cilat shiten në treg.

Inspektorati i Tregut po mbikëqyr bizneset, teksa nga Ministria e Industrisë kanë ndërmarrë veprime për forcimin e mekanizmave për mbrojtje të të drejtave të konsumatorëve. Kështu të paktën u tha në organizimin e tryezës së diskutimit nga kjo ministri, me temën “Produkte të sigurta, konsumatorë konfidentë”.

“Kosova po ecën sigurt drejt funksionalizimit të mekanizmave që i paraprijnë rrugës për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social. Rastisi këtë muaj të përballemi edhe me sfidën e çmimeve të derivateve. Andaj masa e parë që kemi marrë kishte të bënte me mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve në raport me çmimet. Është thelbësore që në të gjitha institucionet të punojmë në fuqizimin e mekanizmave dhe adresimin e kërkesave, duke u mundësuar konsumatorëve qasje të lehtë. Kemi pasur shtim substancial të numrit të ankesave. Rritja e numrit në 3 mijë e 200 ankesa, mund të merret si ngritje e vetëdijës së qytetarëve për të kërkuar të drejtën e tyre. Si ministri do të vazhdojmë përpjekjet drejt forcimit të mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve”, ka potencuar Ministrja e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila.

Nijazi Shala, udhëheqës i Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit tha se tregu po mbikëqyret, teksa shtoi se konsumatorët duhet të jenë të kujdesshëm për produktet që blejnë.

“Ne kemi nevojë për lloj-lloj produktesh. Por sa mendojmë për sigurinë e tyre para se t’i blejmë? Siguria nuk është vetëm çështja e cilësisë por lidhet edhe me shëndetin. Ushqimet duhet të prodhohen dhe të ruhen në kushte të mira. Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit harton rregulla që duhet të zbatohen. E në bazë të tyre bëhen edhe kontrollet në treg. Element i rëndësishëm për sigurinë e produktit është edhe informacioni që ofrohet për të. Çështja e etiketës është e rregulluar prej kohësh. E këtu mund të flasim për datat e skadencave. Më shumë se 200 ankesa për këtë kemi trajtuar vitin e kaluar. Konsumatorët duhet të jenë vetë të kujdesshëm gjatë blerjes së produkteve”, ka shtuar ai.

Përveç produkteve ushqimore, edhe produkte të tjera, si lodra për fëmijë janë ndaluar disa herë të shiten në tregun kosovar, për shkak se janë konsideruar si jo të sigurta për fëmijët./Indeksonline/