Stërvitjet e ushtrisë serbe pranë kufirit/ Reagon Alban Hyseni: Janë provokuese dhe shqetësuese (Video)
IndeksOnline ka publikuar sot pamje nga stërvitjet e ushtrisë serbe që po zhvillohen në afërsi të kufirit me Kosovën, ku shihen edhe helikopterë duke lëshuar parashutistë.
Lidhur me këtë situatë ka reaguar kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i cili i ka cilësuar këto veprime si shqetësuese dhe provokuese për qytetarët.
Ai ka theksuar se prania e forcave ushtarake dhe aktivitete të tilla pranë zonave të banuara krijojnë ndjenjë pasigurie dhe tension të panevojshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve, transmeton IndeksOnline.
Hyseni ka kërkuar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare që të monitorojnë situatën me kujdes dhe të ndërmarrin veprime konkrete për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
“Qytetarët tanë meritojnë qetësi, siguri dhe perspektivë, jo frikë dhe presion”, ka deklaruar ai, duke shtuar se do të vazhdojnë të jenë pranë qytetarëve dhe të angazhohen për mbrojtjen e interesave të tyre./IndeksOnline/

