Policia bastis biznese dhe shtëpi në Prizren, sekuestrohen kilogramë ari e argjendi të padeklaruar
Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në Prizren nën dyshimin për shmangie nga pagesa e tarifave doganore dhe shmangie nga tatimi lidhur me shitjen e arit.
Sipas policisë, në koordinim me prokurorin janë kryer kontrolle në gjashtë biznese dhe në tri shtëpi banimi, pasi dyshohet se bizneset kanë ushtruar veprimtari të kundërligjshme duke iu shmangur tatimeve.
Gjatë kontrollit në lokalet e katër të dyshuarve, një femër dhe tre meshkuj kosovarë, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 3 kilogramë e 775 gramë ari i padeklaruar, mbi 4 kilogramë e 204 gramë argjend i padeklaruar, si dhe një armë pa leje.
Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ndërsa pas intervistimit, me vendim të prokurorit, rasti është proceduar në procedurë të rregullt.

