75 Mall Live Search
11:38 / E Enjte, 21 Maj 2026 / MSH1

Dëmtohet rruga në Mazgit, ministria kërkon kujdes nga udhëtarët

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se pjesa e lidhjes së rrugës në Mazgit, e cila ishte rehabilituar më herët, është dëmtuar përsëri si pasojë e ndërhyrjeve të realizuara nga KRU “Prishtina”.

Sipas Ministrisë, dëmi u shkaktua në zonën ku kalon gypi i ujësjellësit, transmeton IndeksOnline.

“Me qëllim të rikthimit të sigurisë dhe funksionalitetit të plotë të kësaj pjese rrugore, shumë shpejt do të nis rehabilitimi i plotë dhe sanimi i dëmtimeve të krijuara”, njofton ministria.

Me këtë rast, nga ky dikaster kanë bërë thirrje që qytetarët që frekuentojnë këtë rrugë të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit dhe mirëkuptim.

Ndonëse nuk është caktuar koha, ministria deklaron se punimet do të realizohen në afatin më të shpejtë të mundshëm.