Therrje me thikë në Istog, një person në gjendje kritike
Një therrje me thikë ka ndodhur pasditen e së enjtes në Istog, ku si pasojë e një përleshjeje me mjete të mprehta tre persona kanë mbetur të lënduar, ndërsa njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë.
Sipas informacioneve të para, rasti ka ndodhur në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, pranë stacionit të autobusëve, rreth orës 14:40, ku disa persona dyshohet se janë përfshirë në konflikt fizik.
Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka siguruar prova që lidhen me rastin, ndërsa të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në QKMF-në e Istogut.
Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili bëri të ditur se hetimet janë duke vazhduar.
“Në rrugën Lidhja e Prizrenit në Istog afër stacionit të autobusëve, rreth orës 14:40 janë përleshur disa persona dhe janë përdorur mjetë të mprehta. Policia ka dalur në vendin e ngjarjes. 3 persona janë të lënduar, një është më rëndë dhe dyshimet janë se është i lënduar prej mjetit të mprehtë. Policia ka gjetur disa dëshmi”, ka thënë Gashi për IndeksOnline.

