75 Mall Live Search
09:27 / E Enjte, 04 Qershor 2026 / KV

Policia sekuestron marihuanë dhe para, arrestohen dy persona

Dy persona janë arrestuar në Drenas nën dyshimin për përfshirje në veprën penale: “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas policisë, rasti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 21:30. Gjatë kontrollit të të dyshuarve, si edhe gjatë bastisjes së veturës dhe shtëpisë së njërit prej tyre, policia ka gjetur dhe sekuestruar 15.2 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

Po ashtu, janë sekuestruar edhe para në vlerë prej rreth 3 mijë e 550 eurosh, të cilat dyshohet se lidhen me aktivitetin e kundërligjshëm.

Me vendim të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

Hetimet për rastin vazhdojnë./IndeksOnline/