Kurti priti në takim lamtumirës shefin e EULEX-it, Barbano
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim lamtumirës shefin e misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, Giovanni Pietro Barbano, të cilin e falënderoi për kontributin dhe shërbimin.
Në takim u vlerësua roli i EULEX-it në mbështetje të institucioneve të Republikës së Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, përfshirë monitorimin e sistemit të drejtësisë, mbështetjen për policinë, shërbimin korrektues dhe forenzikën, si dhe angazhimin në çështje me rëndësi të veçantë për qytetarët, përfshirë trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave, dhunës në familje, mbrojtjen e fëmijëve dhe të drejtat e viktimave.
Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se, në mandatin e ri, reforma në drejtësi mbetet prioritet thelbësor, me qëllim të rritjes së efikasitetit, llogaridhënies, pavarësisë dhe besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Ai nënvizoi rëndësinë e digjitalizimit të sistemit të drejtësisë, jo vetëm si modernizim teknik, por si instrument për transparencë, menaxhim më të mirë të lëndëve, ulje të vonesave dhe forcim të përgjegjësisë institucionale.
Kryeministri në detyrë Kurti i uroi z. Barbano suksese në angazhimet e tij të ardhshme dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Misionin dhe udhëheqjen e re të EULEX-it. Ndërkaq, z. Barbano e falënderoi kryeministrin për bashkëpunimin dhe e uroi për fitore në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Në fund, kryeministri i dhuroi librat “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve” të studiuesit Luan Tashi dhe “Ambasadorët” të autorit Henry James, si dhe një poster me urat në bankënotat euro.

