20:23 / E Martë, 27 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Ambasada e Kosovës në Austri organizoi pritje solemne për 10 vjetorin e Pavarësisë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri organizoi pritje solemne me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës në ambientin madhështor të Shtëpisë së Industrisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, Sami Ukelli, duke iu uruar mirëseardhje të pranishmëve, në fjalën e tij foli fillimisht për sfidat e Kosovës deri në realizimin e ëndrrës historike të qytetarëve të saj. Shpallja e Pavarësisë së Republikës është një moment i rëndësishëm në historinë e re të Kosovës dhe sinonim i përpjekjeve për shtet bërje.

Ambasadori Ukelli ndër të tjera shtoi se ky vit shënon edhe 10 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Austrisë, e cila ishte ndër vendet e para që përkrahu dhe njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës. Në këtë kuadër, Ambasadori Ukelli përshëndeti përkrahjen e vazhdueshme të shtetit austriak që nga vitet ’90-ta, si një nga shtetet e para evropiane që u rreshtua kundër shkeljes sistematike të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës. Ambasadori Ukelli një falënderim të veçantë ia kushtoi popullit austriak për zemërgjerësinë e tij, i cili gjatë kohës së luftës së Kosovës, në kuadër të aksionit humanitar “Nachbar in Not” ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në dhënien e ndihmave ndaj refugjatëve dhe të dëbuarve nga vendet e tyre. Ai përshëndeti edhe punën e ushtarëve të kontingjentit austriak në kuadër të KFOR-it në Kosovë.

Ambasadori Ukelli foli edhe për kontributin dhe rolin e diasporës shqiptare në Austri, e cila po ashtu ka luajtur një rol të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy popujve.

Lukas Mandl, deputet në Parlamentin Evropian dhe njëherësh Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Austri-Kosovë, foli për thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Austrisë. Eurodeputeti Mandl theksoi përkushtimin e tij në dhënien e përkrahjes për Kosovën në kuadër të Unionit Evropian (UE), si dhe domosdoshmërinë që UE-ja të flas me një zë për Kosovën. Kosova, sikurse çdo vend evropian, ka perspektive të qartë evropiane dhe Austria do të angazhohet në përshpejtimin e rrugës evropiane të Kosovës, theksoi në mes të tjerash Eurodeputeti Mandl.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe personalitete të njohura të politikës dhe diplomacisë austriake, si ish-kryetarët e Parlamentit Nacional, Andreas Khol dhe Heinrich Neisser, ish-ministrat e Mbrojtjes së Austrisë, Friedhelm Frischenschlager dhe Werner Fasslabend, Ambasadorët Albert Rohan dhe Wolfgang Petritsch, deputetë të Parlamentit Nacional, deputetë e përfaqësues të Landeve austriake, përfaqësues të niveleve të larta nga Ministria e Punëve te Jashtme austriake dhe kori diplomatik nga shtetet të ndryshme të botës të akredituara në Austri, si dhe përfaqësues të bizneseve austriako-shqiptare.