75 Mall Live Search
10:32 / E Hënë, 29 Qershor 2026 / OSH

Rënia e AUDI-s po e rëndon gjendjen financiare në qytetin gjerman

Nëse takoni dikë në qytetin e Ingolstadt, ka shumë gjasa që ai të prezantohet si punëtor i AUDI. Fabrika e gjigantit të automjeteve në këtë qytet punëson rreth 40 mijë njerëz.

Suksesi i Audi-t e ka transformuar Ingolstadt-in nga një qytet i qetë me 30,000 banorë (pas Luftës së Dytë Botërore) në një qytet me pothuajse 150,000 banorë.

Por qyteti thuhet se po futet në krizë financiare pasi që kompania ka rënie të fitimeve dhe ulje të punësimeve.

Të ardhurat nga taksat e biznesit janë përgjysmuar vetëm në pak vite, kryesisht për shkak të problemeve të Audi-t dhe kompanisë së saj mëmë Volkswagen.

Situata është aq serioze sa qeveria e Bavarisë së Epërme hodhi poshtë buxhetin e Ingolstadtit në fillim të këtij viti dhe i ndaloi qytetit investime të reja. Projekte të mëdha, të tilla si rinovimi i teatrit të famshëm Brutalist, janë pezulluar.

Nxënësit janë detyruar të zhvendosen nga një shkollë e rrënuar sepse qyteti nuk mundi të financonte rinovimin e saj. “Audi është një bekim për qytetin tonë, por është edhe një rrezik”, thotë kryebashkiaku Michael Kern .
“Kjo është kriza më e keqe në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë”, thotë René Geissler , profesor i administrimit publik në Universitetin e Teknologjisë.

Ai përmend tre arsye kryesore: inflacionin e fortë, veçanërisht në industrinë e ndërtimit, rritjen e kostove të punonjësve dhe ligjet e reja të miratuara nga Bundestagu, veçanërisht ato që lidhen me përfitimet e të rinjve dhe të aftësisë së kufizuar, të cilat bashkitë duhet t’i financojnë.

Shpenzime të tilla të detyrueshme tani përbëjnë 80 përqind të buxhetit të Ingolstadtit, duke e detyruar qytetin të bëjë shkurtime drastike në fusha të tjera. Në qytetet më të varfra, presioni është edhe më i madh. Geissler pret që shumë bashki të përdorin “shkurtime të padukshme” për të mbyllur buxhetet e tyre./Indeksonline/