75 Mall Live Search
16:17 / E Martë, 30 Qershor 2026 / MSH1

KEK-u nis reforma të thella në menaxhimin dhe mbrojtjen e pronave të Korporatës

Korporata Energjetike e Kosovës njofton se ka realizuar me sukses unifikimin e evidencave të pronave të saj dhe ka filluar një proces të gjerë reformash me fokus të veçantë në identifikimin, trajtimin e rasteve të uzurpimit, mbrojtjen dhe konsolidimin e pronës së Korporatës.

Në kuadër të këtij procesi, përveç komunave të Obiliqit dhe Fushë-Kosovës, ku KEK-u zhvillon aktivitetet e saj operative, janë identifikuar prona të Korporatës edhe në komuna të tjera të Republikës së Kosovës, përfshirë Podujevën dhe Brezovicën.

“Për këtë qëllim, KEK ka intensifikuar bashkëpunimin institucional dhe është duke zhvilluar takime me drejtuesit e komunave përkatëse dhe institucionet kompetente, me qëllim të identifikimit dhe trajtimit të rasteve të uzurpimit, mbrojtjes së pronës publike dhe rikthimit të pronave në administrim të rregullt institucional” deklaron KEK-u.

Njëkohësisht, Korporata Energjetike ka inkurajuar të gjithë qytetarët dhe subjektet që eventualisht shfrytëzojnë prona të Korporatës pa bazë ligjore që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për lirimin vullnetar të tyre sa më parë.

“Ky proces zhvillohet paralelisht me programin më të madh investiv në historinë e KEK-ut, i cili përfshin modernizimin e njësive gjeneruese pas më shumë se katër dekadave dhe zhvillimin e projekteve në fushën e energjisë së ripërtëritshme, duke dëshmuar përkushtimin e Korporatës për reformim të gjithanshëm, mbrojtje të aseteve publike dhe menaxhim të përgjegjshëm institucional” thotë KEK.