Kosova ende pa ligj për vlerat e UÇK-së
Edhe pas gati tri dekadash nga përfundimi i luftës, Kosova nuk ka një ligj të veçantë që përcakton dhe mbron vlerat e luftës çlirimtare të UÇK-së. Përfaqësues të organizatave të dala nga lufta dhe juristë vlerësojnë se një kornizë e tillë ligjore është e domosdoshme, por theksojnë se ajo duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe të mos cenojë lirinë e shprehjes.
Edhe 27 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, vendi vazhdon të mos ketë një ligj të veçantë që përcakton dhe mbron në mënyrë gjithëpërfshirëse vlerat e Luftës Çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Megjithëse ndër vite janë miratuar ligje që rregullojnë statusin dhe të drejtat e veteranëve, invalidëve, familjeve të dëshmorëve dhe kategorive të tjera të dala nga lufta, mungon ende një kornizë ligjore që definon qartë vlerat e luftës dhe mënyrën e mbrojtjes së tyre, raporton RTK.
Një përpjekje për ta plotësuar këtë boshllëk u bë në vitin 2020, kur në Kuvendin e Kosovës u procedua Projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së. Projektligji synonte të përcaktonte se çfarë konsiderohen vlera të luftës dhe si duhet të mbrohen ato, por nuk arriti të miratohej për shkak të mungesës së votave të nevojshme.
Diskutimi për nevojën e një ligji të tillë është rikthyer së fundmi në qendër të vëmendjes, pas përdorimit të flamurit të UÇK-së në protesta të organizuara në Shqipëri, si dhe gjatë fushatave zgjedhore të subjekteve politike në Kosovë.
Përfaqësues të organizatave të dala nga lufta dhe njohës të çështjeve juridike vlerësojnë se një ligj i tillë është i domosdoshëm për të mbrojtur trashëgiminë dhe vlerat e luftës çlirimtare, si dhe për të parandaluar keqpërdorimin apo denigrimin e tyre. Megjithatë, ata theksojnë se çdo dispozitë duhet të hartohet në përputhje me Kushtetutën, duke garantuar edhe respektimin e lirisë së shprehjes.
Për herë të fundit, nisma për një ligj të ri u aktualizua në prill të këtij viti, kur një grup prej rreth 40 deputetësh njoftoi se kishte përgatitur projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.
Megjithatë, dorëzimi i tij në procedurë parlamentare u shty për shkak të paqartësive lidhur me vazhdimin e mandatit të Kuvendit.

