Nënshkruhet kontrata për renovimin e Qendrës së Paraburgimit në Gjilan
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka nënshkruar një kontratë në vlerë prej 8,585,858.58 euro, për realizimin e projektit të renovimit të Qendrës së Paraburgimit dhe ndërtimit të punëtorive në Gjilan.
Sipas njoftimit për nënshkrimin e kontratës, projekti do të financohet nga buxheti i shtetit, ndërsa kohëzgjatja e paraparë për realizimin e punimeve është 755 ditë, raporton IndeksOnline.
Kontrata është nënshkruar më 25 qershor me një grup operatorësh ekonomikë.
Aktiviteti i prokurimit ishte iniciuar qysh në korrik të vitit të kaluar.
Në këtë procedurë të hapur të prokurimit janë tërhequr 122 dosje të tenderit, ndërsa janë pranuar tri oferta.
Megjithatë, vetëm një tender është vlerësuar si i përgjegjshëm.
Projekti synon përmirësimin e infrastrukturës së Qendrës së Paraburgimit në Gjilan përmes renovimit të objekteve ekzistuese dhe ndërtimit të punëtorive të reja, si pjesë e investimeve në sistemin korrektues të Kosovës./IndeksOnline/

