75 Mall Live Search
16:21 / E Enjte, 02 Korrik 2026 / Gj Sh

FFK hap dyert për yjet e Diasporës, Kampi Nacional në Hajvali në shërbim të futbollistëve gjatë verës!

Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë një ftesë të hapur për të gjithë futbollistët dhe futbollistet nga diaspora, duke i mirëpritur në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali gjatë pushimeve verore në Kosovë.

Nëpërmjet këtij njoftimi, FFK thekson se Kampi Nacional do të jetë në dispozicion të lojtarëve të të gjitha kategorive, pa dallim ligës ku aktivizohen apo kombëtares që përfaqësojnë, shkruan IndeksOnline.

Qëllimi i kësaj nisme është t’u ofrohen kushte profesionale për stërvitje dhe të forcohet lidhja e futbollistëve të diasporës me shtëpinë e futbollit kosovar.

Të gjithë të interesuarit mund të rezervojnë terminet e tyre duke dërguar kërkesë në adresën elektronike enismehmeti@ffk-kosova.com, ku duhet të specifikojnë datat e dëshiruara, orarin, numrin e pjesëmarrësve dhe vitin e lindjes.

Ndërkaq, për grupet me më shumë se pesë pjesëmarrës, Federata do të ofrojë edhe mbështetje profesionale nga trajnerët e saj, në përputhje me kapacitetet dhe orarin e Kampit Nacional.

Me këtë iniciativë, FFK synon të krijojë mundësi që futbollistët e diasporës të vazhdojnë përgatitjet edhe gjatë qëndrimit në vendlindje, duke i mirëpritur në një ambient me standarde profesionale dhe duke forcuar lidhjet e tyre me futbollin e Kosovës./IndeksOnline/