Talentët nga Kosova parakalojnë në Suedi me veshje kombëtare
Të rinjtë e KF 2 Korriku po shkëlqejnë në “Gothia Cup”: Start fantastik me fitore 6-1 dhe parakalim madhështor me veshje kombëtare
Të rinjtë e KF 2 Korriku, kanë nisur në mënyrë të jashtëzakonshme aventurën e saj në turneun më të madh të futbollit për të rinj në botë, “Gothia Cup”, i cili po mbahet në Goteborg të Suedisë.
Ekipi i grupmoshës B15 (Grupi 15) kanë dhuruar spektakël që në ditën e parë, duke dëshmuar talentin e tyre si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë kulturor e kombëtar.
Përpara se të zbrisnin në fushën e blertë, djemtë e KF 2 Korrikut u kthyen në kryelajmin e ceremonisë së hapjes në stadiumin e famshëm “Gamla Ullevi”. Në vend të uniformave të zakonshme sportive, delegacioni i Kosovës parakaloi para dhjetëra mijëra shikuesve i veshur me veshje tradicionale kombëtare.

