Sekretari i LDK-së: Nuk do të jemi pjesë e kësaj Qeverie
Pas ngjarjeve të fundit në Kosovë, Lista Serbe ka braktisur Qeverinë e Kosovës duke e vënë në rrezik funksionimin e ekzekutivit.
Por spekulimet se Lidhja Demokratike e Kosovës ka mundësi t’i bashkohet qeverisë aktuale, i ka hedhur poshtë Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri.
Ky i fundit në një prononcim për Indeksonline ka thënë se e vetmja mundësi që LDK-ja të përfshihet në qeverisje është nëse mbahen zgjedhje të reja.
“Asnjë zyrtarë i LDK-së duke përfshirë edhe mua si zyrtarë i lartë i LDK-së, nuk do të flasim rreth përfshirjes në këtë qeverisje. Ne e kemi një vendim që ne nuk bëhemi pjesë e qeverisë së zgjedhjeve të fundit nacionale, dhe e vetmja mënyrë që LDK-ja si parti serioze dhe parti e parë në vend të jetë në qeveri është qe të udhëheqë me qeverinë e Kosovës pas zgjedhjeve të reja që tani duhet të mbahen”, ka theksuar Beqiri.
Njëherësh deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Beqiri ka shtuar se largimi i Listës Serbe do ta prishte qeverinë herët ose vonë. Sipas tij kur një koalicion ka një numër aq të vogël të partnerëve, rreziku për mos funksionimin e ekzekutivit ka qenë evident.
“Mund të them lirisht që nuk është ndonjë lajm ky që ndodhi me Listën Serbe, sepse vet formimi i qeverisë me një numër aq të vogël të partnerëve të koalicionit, e ka vu gjithmonë dhe ka qenë rrezik potencial që kjo që ndodhi ka mundet të ndodh më herët dhe më vonë. Dhe tjetër është forma se si dhe pse ndodhi tash, pas asaj që ndodhi me arrestimin e zyrtarit serb”, ka thënë ai.
Beqiri ka theksuar se nëse flitet për bashkim të Lidhjes Demokratike të Kosovës me qeverinë Haradinaj, ato janë vetëm dëshira të individëve por kurrsesi të LDK-së në tërësi. Kurse ai nuk ka ngurruar të shpreh se nëse zgjedhjet mbahen LDK do të jetë subjekti i parë politik që do të udhëheq me vendin.
“Të gjitha spekulimet për përfshirjen e LDK-së në qeveri janë të pavërteta dhe të paqëndrueshme, thjeshtë janë vetëm opinione kurse mund të jenë dëshira të individëve por jo edhe qëndrim i partisë. Ky është qëndrimi ynë i qartë dhe si i tillë mbetet, ajo që dua të them është që partia e ka qëndrimin e qartë, këshilli i përgjithshëm që ne nuk bëhemi pjesë e kësaj qeverie, dhe ne besojmë që zgjedhjet do të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe LDK do të jetë subjekti i parë dhe do të udhëheq me vendin, me qeverinë e vendit dhe për partnerët eventual do të vendosin forumet e partisë”, ka përfunduar Beqiri./Indeksonline/