Konjufca: Shteti dje ka kolapsuar
Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka thënë se me arrestimin dhe dëbimin e shtetasve turq, është parë një kolaps i të gjitha segmenteve të shtetit.
“Kjo është e pa precedentë me ndodh në një shtet evropian, këtu kemi pa kolaps të krejt segmenteve shtetërore. Sepse te tri figurat dolën dhe thanë se nuk janë në dijeni”, tha Konjufca për KosovaPress.Ai ka shtuar se me këtë rast janë shkelur të drejtat e njeriut si dhe konventat evropiane.
“Çdo shtet evropian ku do të ndodhte diçka e tillë, më së paku është largimi i Qeverisë”, deklaroi tutje Konjufca.
Deputeti i VV-së ka folur edhe për atë që i pret të arrestuarit me kthimin e tyre në Turqi, ku ata sipas Konjufcës do të persekutohen vetëm për shkak të bindjeve të tyre, dhe për asnjë arsye tjetër.
“Kryeministri del dhe thotë se s’ka ditur asgjë, kryeparlamentari e dënon aktin, kurse të gjithë duan që të amnistohen”, tha Konjufca, duke përmendur edhe zërat që po drejtojnë gishtin nga Presidenti Hashim Thaçi.