Mbrojtja kërkon hudhjen e aktakuzës në rastin e të akuzuarve për pastrim parash
Mbrojtja e të akuzuarve për pastrim parash, Fatlum dhe Mirsad Sopjani, ka kërkuar hudhjen e aktakuzës në këtë rast.
Një kërkesë të tillë, mbrojtja e të akuzuarve e ka bërë në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Sipas avokatit Florent Latifaj, që mbron të akuzuarin Mirsad Sopjani, paratë nuk janë fituar në mënyrë të kundërligjshme apo nga aktiviteti kriminal.
Sipas Latifaj, shpëlarja e parave, në të gjithë komentarët e botës ekziston kur paratë fitohen në mënyrë të pistë, me veprime kundërligjore dhe në këtë rast, sipas tij, nuk ka asnjë element të veprës penale.
Ndërsa, prokurori i rastit, Faik Halili, tha se qëndron në tërësi pas aktakuzës së parashtruar dhe se siç ka deklaruar, do ta bindë gjykatën qe në veprimet e të akuzuarve manifestohen të gjitha elementet e veprës penale.
“Me të vërtete paratë rrjedhin nga aktiviteti kriminal në Danimarkë, që është vërtetuar edhe nga organet kompetente të Danimarkës. Të akuzuarit regjistruan një biznes në Kosovë dhe duke mos vepruar asgjë, fituan gjithë ato para. Arsyeja e hapjes së atij biznesi, ka qenë shpëlarja e parave e fituar me shmangie nga tatimi, në Danimarkë”, ka thënë Halili.
Sipas tij, në lidhje me këtë çështje është angazhuar edhe eksperti i pavarur financiar, i cili e ka vërtetuar se të akuzuarit e kanë kryer veprën me të cilën ngarkohen.
Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, tha se në lidhje me kërkesat e palëve do të merr vendim të veçantë, dhe se do t’i njoftojë me kohë për mbajtjen e seancës së ardhshme.
Ndryshe, në seancën e kaluar, të mbajtur me 9 mars të këtij viti, të akuzuarit Fatlum dhe Mirsad Sopjani, janë deklaruar të pafajshëm për veprën me të cilën ngarkohen.
Sipas aktakuzës, Fatlum dhe Mirsad Sopjani, gjatë periudhës 21 shkurt e deri me 30 korrik 2017, me qëllim të përfitimit për vete dhe persona të tjerë, kanë pranuar transfere ndërkombëtare, mjete të rrjedhura nga aktivitetet kriminale, nga personat e dyshuar Kim David Rasmussen dhe Denis Sodelius Lindberg.
Të katërtit, sipas aktakuzës, si bashkëpronarë me qëllim të pastrimit të parave kishin regjistruar biznesin me emër “NICUMA”, me veprimtari të tregtimit me metale të çmuara, shërbime edukimi, kishin hapur xhirollogari në të cilën kishin pranuar mjete monetare të shumave milionëshe, nga kompania ilegale “One Life Netëork Limited”, nga vendi Belize.
Prokuroria pretendon se njëri nga elementet që dy të akuzuarit dyshohen për shpëlarje të parave, është se bashkëpronari i firmës “NICUMA”, Kim David Rasmusen, ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar nga Gjykata në Danimarkë, me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht dhe më gjobë në shumën prej 590.000 euro, për mashtrim dhe shmangie nga tatimi.
Në aktakuzë, thuhet se ndaj të dyshuarve Kim Rasmusen dhe Denis Lindberg, është duke u zhvilluar procedura e sigurimit të tyre për tu intervistuar, pasi që ata nuk gjenden në Kosovë, gjenden në arrati.
Prokuroria të akuzuarit Fatlum dhe Mirsad Sopjani i ngarkon me veprën penale “shpëlarje e parave”, e cila vepër dënohet sipas Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimin e Terrorizmit.