Nisin kërkimet nën urat e Bechtel-Enka për policin Armend Trena (Video/Foto)
Për të shtatën ditë me radhë, Policia e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe mekanizmat tjerë për emergjenca kanë vazhduar kërkimet për policin që figuron akoma i zhdukur, Armend Trena.
Ekipi i Indeksonline që po qëndron në Kaçanik, ka bërë të ditur se për pak çaste pritet të bëhet lirimi i urave nga meturinat ku dyshohet se mund të jetë polici Armend Trena. Policët dhe FSK-ja tanimë janë barikaduar në lum.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajit, Agim Gashi ka thënë për Indeksonline se në kërkim po marrin pjesë të gjithë akterët që kanë marr pjesë deri më sot.
“Kemi rrethuar një lokacion që kemi pasur dyshime se mund të jep rezultate, por fatkeqësisht nuk kemi hasur në asnjë gjurmë.
Nga ora 13:15, kanë filluar kërkimet prapë nga vendi i ngjarjes dhe tani jemi përqendruar në urat që janë në këtë teren, që i ka bërë Bectel Enka dhe po i kontrollojmë një nga një, duke shpresuar në rezultate”, ka thënë Gashi.
Dje ekipet derisa po kërkonin, gjetën trupin e pajetë të Malsor Dashit, pesë kilometra larg vendit ku kishte rënë me veturë në lumin Lepenc, mbrëmjen e së shtunës bashkë me Trenën.
Sot nga ora 09:00 e mëngjesit, të gjithë pjesëtarët e policisë, FSK-së dhe zhytësit kanë hyr prapë në lumin Lepenc, për të gjetur edhe policin Trena.
Madje, të mërkurën për të lehtësuar procesin e kërkimit, dy hidrocentrale kishin bllokuar rrjedhën e ujit për disa orë, në mënyrë që niveli i ujit në lum të bie, por që nuk kishte sukses.
Në kërkim për policët është përfshirë edhe zhytësi i njohur, Ismail Kasumi me dy djemtë e tij.
Kujtojmë se varrimi i të ndjerit, Malsor Dashi bëhet sot nga ora 16:00 në varrezat e fshatit Stagovë të Kaçanikut. /Indeksonline/