PDK heshtë për pjesëmarrjen e AKR-së dhe Vetëvendosjes në tryezën e nesërme
Partia Demokratike e Kosovës pritet të mbledhë partitë kosovare në një tryezë të përbashkët. Madje këta të fundit ndihen të sigurt në shkuarjen e përfaqësuesve të ndryshëm të partive në këtë takim.
I kontaktuar nga Indeksonline, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi nuk ka dashur të komentojë se a ka konfirmuar ndonjë prej subjekteve pjesëmarrjen apo mos pjesëmarrjen në këtë tryezë.
“Besoj se për këto pyetje më së miri merrni përgjigje të martën”, ka thënë shkurt Krasniqi duke mos pranuar të përgjigjet se sa është e vërtetë që AKR dhe VV tashmë kanë refuzuar shkuarjen në këtë tryezë, ashtu siç edhe është raportuar dje.
Ndryshe, kjo tryezë vjen pas asaj të LDK-së, ku subjektet politike u mblodhën për të diskutuar për disa çështje të ndryshme të vendit.
Takimi i kaluar u mbajt më 25 prill, ku nuk munguan asnjë prej subjekteve politike, të cilat u pajtuan se tryeza të tilla duhet të vazhdojnë në mënyrë të gjetjes së konsensusit për çështje të rëndësishme që e presin shtetin e Kosovës.
Përfaqësues të partive, AAK dhe NISMA ditë më parë patën konfirmuar për Indeksonline shkuarjen e tyre, duke deklaruar se ata do të jenë prezent pavarësisht se kush bën thirrje për tryeza të tilla./Indeksonline/