75 Mall Live Search
10:53 / E Martë, 22 Maj 2018 / indeksADMonline

Rreziku që gjyqtari serb të marrë dritën jeshile nga Thaçi

Votat e deputetëve të koalicionit qeverisës ia dhanë mundësinë Radomir Labanit që të kalojë fazën e parë për tu bërë gjyqtar i Gjykatës Kushtuese të Kosovës. Ai mori 71 vota, të mjaftueshme për tu bërë anëtarë i njëri prej organit kryesor të drejtësisë në vend.

Mirëpo, zgjedhja e Labanit nuk është mirëpritur nga një pjesë e deputetëve dhe shoqërisë civile, pasi i njëjti kishte të kaluar kriminale dhe ishte i dënuar me burg si pjesë e një grupi kriminal.

Avokati kosovar, Tomë Gashi ka sugjeruar presidentin e vendit, Hashim Thaçin që mos ta emërojë si gjyqtar pjesëtarin nga komuniteti serb.  Sipas tij, në mënyrë absolute nuk duhet të dekretohet gjyqtar për shkak se për të ka dyshime të bazuar se ka qenë i dënuar në Serbi për vepra penale.

“Nëse një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese ka qenë në një shtet tjetër i dënuar për vepra penale, ai nuk është i denjë që ta kryejë funksionit e gjyqtarit, posaçërisht të jetë në Kushtetuese e cila e vlerëson kushtetutshmërinë e çdo ligji të aplikueshëm në Kosovë”, ka thënë ai për “Indeksonline”

Më tej, Gashi shtoi se askush s’ka kërkuar diçka të jashtëzakonshme, gjithë kanë kërkuar që të vërtetohet e kaluara e tij dhe kjo fare lehtë mund të bëhet.

“Posaçërisht kur dihet se ka aktgjykime të formës së prerë, por sido që të jetë presidenti nuk duhet ta dekretojë pa u hequr dyshimet që janë shfaqur dhe të vendoset lidhur me të. Unë nuk e besojë se dikush do të kërkojë që mos të dekretohet për shkak të nacionalitetit të tij sepse është e paraprame me kushtetutë të jetë një gjyqtar i nacionalitetit serb, por e kaluara e tij duhet të vërtetohet dhe të gjendet faktet që ka qenë i dënuar atëherë ky nuk është i denjë të jetë në ndonjë instancë ligjore”, është shprehur ai.

Në rast se dekretohet Laban, Gashi paralajmëron se prapë se prapë nuk mund t’i ikë verifikimit të kaluarës vet. “Paramendojeni nëse ai bien vendime të cilat kanë peshë të madhe në Republikën e Kosovës atëherë çdo vendim do të jetë i kontestueshëm. E keqja më e vogël është të vërtetohet e kaluara e tij dhe e keqja më e madhe është nëse ai dekretohet dhe pastaj shkarkohet”, është shprehur ai.

Ndryshe, Radomir Laban ishte dënuar në vitin 2012 nga Gjykata Themelore në Beograd si pjesë e një grupi kriminal, i cili kishte kontrabanduar teknikë të bardhë, cigare, tekstil, alkool … etj

“Carinska Mafija” ishte grupi i përbërë nga 17 persona ku sipas medieve serbe ishte arrestuar në vitin 2006./Indeklsonline/Alban Muhaxheri/