10:30 / E Martë, 10 Korrik 2018 / indeksADMonline

Operacion i Policisë në Gjilan, a ka të bëjë me pjesëtarët serbë të FSK-së?

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është duke zhvilluar një operacion policor në rajonin e Gjilanit, nga i cili janë arrestuar pesë persona të nacionalitetit serb.

Ata dyshohet se janë përfshirë në veprimtari kundër kushtetuese.

Ndërsa, PK përmes një njoftimi thekson se lajmet në portalet serbe se Policia e Kosovës po realizon operacion kundër ish-pjesëtarëve të FSK-së, janë spekulime, transmeton Indeksonline.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të PK-së:

Sot, me datën 10 korrik 2018, pas hetimeve të zhvilluara nga njësitet relevante policore, me urdhëresë të gjykatës kompetente është duke u realizuar një operacion policor, i cili përfshin disa lokacione të rajonit të Gjilanit.

Gjatë këtij operacioni deri më tani në cilësinë e të dyshuarve janë arrestuar (5) pesë persona (m/s/k), nën dyshimin e bazuar se të njëjtit janë përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Njëkohësisht, Policia e Kosovës përmes kësaj komunikate zyrtare, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, demanton disa mediume/portale serbe, të cilat deklarojnë se po realizohet një operacion policor ndaj disa ish-pjesëtarëve të FSK-së, dhe sqarojmë se këto janë vetëm disa supozime apo spekulime të mediave në fjalë.

Policia e Kosovës garanton të gjithë qytetarët pa dallim se veprimet e saj i bazon në Kushtetutën e vendit dhe Legjislacionit në fuqi, përderisa operacioni policor është duke vazhduar në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet e drejtësisë.