75 Mall Live Search
19:43 / E Martë, 09 Tetor 2018 / indeksADMonline

Daçiq e përsërit: Nuk do ta njohim Kosovën për asnjë çmim, s’duam të poshtërohemi

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka thënë se Serbia dëshiron të arrij një kompromis për Kosovën, por se me asnjë çmim nuk do ta njoh atë.

“Nuk do ta njohim Kosovën për asnjë çmim, sepse nuk është në pyetje BE-ja apo Kosova. Ne nuk duam të na shtrohet ashtu pyetja. Duam zgjidhje paqësore, por jo poshtërimin e Serbisë”, tha Daçiq në Timisoara të Rumanisë, raporton “FoNet”.

Sipas tij, ka probleme në Ballkan, por ato nuk duhet të jenë bazë për luftëra të tjera.

“Kërkohet më shumë mirëkuptim nga bashkësia ndërkombëtare dhe në këtë drejtim ne po përpiqemi për të udhëhequr një politikë të ekuilibruar të jashtme,  e cila respekton të gjitha qëllimet tona strategjike”, tha tutje Daçiq, transmeton Indeksonline.

Ai ka theksuar se qëllimi strategjik i Serbisë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, por se nuk mund të hyjë deri sa të arrijnë një marrëveshje ligjërisht detyruese me Kosovën.

Ai pyeti nëse dikush në BE e di se çfarë duhet të shkruhet në atë marrëveshje dhe nëse kjo do të thotë se Serbia duhet ta njoh Kosovën.

“Rumania dhe katër vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën do të thonë se kjo nuk është e domosdoshme, por shumë vende të tjera do të thonë se kjo duhet të bëhet. Nga ana tjetër, kjo hap dilemë në shoqërinë tonë – BE-ja apo Kosova.  Këto janë pyetje shumë të vështira dhe duhet të ketë një mirëkuptim të thellë të atyre që flasin për të”, ka thënë tutje Daçiq.