75 Mall Live Search
10:57 / E Mërkurë, 24 Tetor 2018 / indeksADMonline

90 të vdekur nga aksidentet për nëntë muaj, IKSHP jep rekomandime

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka reaguar ndaj numrit të madh të aksidenteve fatale dhe viktimave të shënuara.

Në një komunikatë për media, IKSHP  ka shprehur shqetësim për këtë, duke vlerësuar se janë ndërmarr pak hapa për parandalimin e tyre, transmeton Indeksonline.

Sipas IKSHP-së, shkaqet janë të ndryshme por sigurisht se faktori njeri është më i shpeshtë pasi që nuk janë duke u respektuar rregullat e përgjithshme në trafik.

Më poshtë komunikata e plotë:

Mbi 90 aksidente fatale në komunikacion për nëntë muaj- brengë e madhe për shëndetin pubik në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës po përcjell në mënyrë permanente situatën epidemiologjike të aksidenteve në trafik.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës në periudhën janar-shtator të këtij viti 90 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në komunikacionin rrugor, prej të cilëve) 17 këmbësorë, 35 shoferë dhe 38 pasagjerë.

Instituti Kombëtar vite me radhë shpreh shqetësimin lidhur me numrin e madh të aksidenteve në trafik, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen qinda persona që paraqesin shifra alarmante dhe shumë shqetësues fakti se shumica e viktimave janë këmbësorë. Deri tani është ndërmarë shumë pak në parandalimin e tyre.

Shkaqet janë të ndryshme por sigurisht se faktori njeri është më i shpeshtë pasi që nuk janë duke u respektuar rregullat e përgjithshme në trafik, nga manipulimi i pasigurt me automjet, tejkalimi i shpejtësisë, mos mbajtja e distancës, mos respektimi i shenjave të trafikut dhe mos përshtatja e kushteve  të  rrugës  përdorimi  i  shpeshtë  i  telefonave  mobil,  vozitja  nën  ndikimin  e  alkoolit, substancave  narkotike,  ndikimi  i  lodhjes  apo  pagjumësisë,  trajnimi  joserioz  gjatë  dhënies  së provimit për shofer, por duke mos munguar as faktori rrugë dhe automjet ngase akoma në shumë vende mungojnë shenjat e komunikacionit dhe veturat e vjetra me mangësi të shumta teknike, ku infrastruktura është problematike dhe drejtuesit e mjeteve  janë të pakujdesshëm gjatë vozitjes.

Qytetarët e Republikës së Kosovës janë të kërcënuar nga aksidentet e trafikut rrugor e sidomos është brengosës fakti se ndër viktima ka të përfshirë fëmijë.

Te  autorët  e  aksidenteve  vërehet  mungesë  e  edukatës  qytetare  për  rregullat  e  qarkullimit  të këmbësorëve dhe të automjeteve, mosdhënien e përparësive në komunikacion në mes tjerash si persona egocentrik, të prirur të perceptojnë se bota sillet vetëm rreth tyre, vështirë të shohin rrethin dhe të akseptojnë të tjerët, ku veten e perceptojnë në piedestalin e kontrollit absolut ndaj të tjerëve.

Instituti Kombëtar jep këto

REKOMANDIME

Përpilimi i një plani të veprimit për parandalimin e aksidenteve dhe aprovimi me procedura urgjente nga Parlamenti i Kosovës.

Zbatimi me rigorozitet i Ligjit per komunikacionin deri në ndalesën e vozitjes pë shkelje të rënda të përsëritura.

Me  programe  të  ndryshme  edukativo–informative  të  vetëdijësohen  njerëzit  e  posaçërisht vozitësit për rolin e tyre në parandalimin e aksidenteve të cilat ndodhin si pasojë e gabimeve të tyre si dhe aftësimi për të ofruar ndihmën e parë.

Angazhimi  i  mas-mediave  në  kampanja  të  ndryshme  që  kanë  për  qëllim  parandalimin  e aksidenteve.

Me  fillimin  e  vitit  të  ri  shkollor  të  sensibilizohet  çështja  e  sigurisë  së  fëmijëve  në komunikacion  duke  organizuar  orë  edukativo  –  arsimore  për  sjelljen  e  këmbësorëve  në komunikacion, mësimi sistematik i rregullave të komunikacionit.

Largimi i menjëhershëm i automjeteve të vjetra nga qarkullimi, kontrolli teknik rigoroz i të gjitha automjeteve.

Kontrollimet mjekësore të rregullta, periodike dhe plotësuese me vlerësim rigoroz të shëndetit mendor të vozitësve që kanë bërë shkelje të rënda të njëpasnjëshme.

Të  rregullohet  infrastruktura  rrugore,  të  bëhet  mirëmbajtja  e  rrugëve,  të  kompletohet sinjalizimi dhe respektimi rigoroz i rregullave të parkimit të veturave.

Drejtuesit e automjeteve t’i përmbahen me përpikëri shenjave të komunikacionit dhe kodit të

mirësjelljes qytetare.

Inspektimi rigoroz i autoshkollave dhe kritereve për marrjen e patent shoferëve.

Këmbësorët të respektojnë shenjat e komunikacionit.

Instituti Kombëtar rekomandon zbatimin rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor që nuk ka si qëllim  në  vetvete  dënimin  e  shtetasve  që  kryejnë  kundravajtje,  por  uljen  në  maksimum  të aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë së jetës së shtetasve që qarkullojnë në rrugët e Kosovës. Duhet  të  kuptohet  nga  të  gjithë  se  jeta  është  më  e  shtrenjtë  nga  një  shkelje  e  rregullave  të qarkullimit rrugor.

Ekspertët e Institutit Kombëtar alarmojnë dhe paralajmërojnë se poqëse nuk merren masa urgjente, humbja e pritshme e jetëgjatësisë së banorëve do të jetë enorme.

Andaj bëjmë apel te të gjithë qytetarët të kenë shumë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve sepse automjeti është armë vrasëse që merr viktima të pafajshme.

 

Temat: