Koci për Sylejman Selimin: Por padrejtësia më e madhe është ajo e cila bëhet në emër të drejtësisë
Avokati Arianit Koci ka reaguar në lidhje me letrën e Ish –Komandantit të UÇK’së Sylejman Selimi, ku kishte bërë me dije se më nuk do të ketë përfaqësim ligjor, duke e konsideruar tërë procesin e gjykimit si të montuar nga politikanët vendor dhe ndërkombëtar.
Sipas Kocit, padrejtësia më e madhe është ajo e cila bëhet në emër të drejtësisë, madje ka shtuar se e bren edhe ndërgjegjja profesionale.
“Padrejtësia më e madhe është ajo e cila bëhet në emër të drejtësisë! Duke shtjelluar të drejtën në gjykim të drejtë, të paanshëm dhe në kohë të arsyeshme në rastin e Sylejman Selimit, më bren ndërgjegjja profesionale për pothuajse çdo gjë që paraqitet si fenomen në këtë rast” ka shkruar në postimin e tij avokati Koci.
Madje ai ka konsideruar se zvarritja dhe mosveprimet nuk mundësojnë që të arrish në konkludime profesionale në këtë rast.
“Zvarritja dhe veprimet/mosveprimet që e karakterizojnë këtë rast, fatkeqësisht nuk ta mundësojnë që të arrish në konkludime të qarta profesionale.
Nuk mund të ketë shpjegim racional e profesional fakti që Z.Selimi po mbahet në burg pa vendim gjyqësor. Arsyetimet e përdorura për mos lirimin e tij nuk zënë vend në diskursin juridik. Këto veprime eksperimentale e rrënojnë tërësisht kredibilitetin e gjyqësorit.
Drejtësia, në fund të fundit, është mbi të gjitha. Por padrejtësia më e madhe është ajo e cila bëhet në emër të drejtësisë!” ka shkruar Koci./Indeksonline/