Zëdhënësi i Kremlinit: Putin e ka konfirmuar gatishmërinë për të përkrahur marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e përkrah arritjen e një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe të Serbisë dhe këtë e ka konfirmuar Kremlini nëpërmjet zëdhënësit të vet, mësohet nga agjencia ruse e lajmeve TASS.
Agjencia citon zëdhënësin e Presidentit të Rusisë të ketë thënë se “Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka konfirmuar gatishmërinë e Moskës për të përkrahur një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, në rast se një marrëveshje e tillë arrihet”.
Sipas agjencisë TASS zëdhënësi Dmitry Peskov u është përgjigjur gazetarëve në lidhje me postimin e Presidentit Thaçi në llogarinë e tij në Tweeter se ka takuar Presidentin e Rusisë Putin.
Zëdhënësi i Kremlinit u ka thënë gazetarëve se Putin dhe Thaçi kanë pasur një bisedë të shkurtër në margjinat e evenimenteve për të shënuar 100 vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në Paris të Francës.
“Putin ka theksuar nevojën që Kosova të arrijë një konsensus me Serbinë”, ka thënë zëdhënësi i Presidentit rus. “Ai ka thënë se ne jemi të gatshëm të përkrahim një marrëveshje që do të garantohej nga palët”.