Curry s’mjafton për Warriors, James Harden magjik, Lakers “bien” pa LeBron
Një tjetër mbrëmje e një niveli të lartë në NBA, me disa përballje mjaft domethënëse. Kështu, Golden State Warriors, pas humbjes së rëndë që pësuan për Krishtlindje nga Los Angeles Lakers, prisnin në “Oracle Arena” Portland Trail Blazers për t’u kthyer në shina, por humbën 109-110 pas kohës shtesë, duke marrë një tjetër dush të ftohtë. Warriors e nisën mirë ndeshjen, por më pas sulmi nuk funksionoi si duhet, gjithsesi, në periodën e fundit arritën të realizonin një numër të madh pikësh për ta çuar përballjen në shtesë, me Blazers që u treguan shumë të kujdesshëm duke fituar me 1 pikë diferencë. Për Portlandin Jusuf Nurkic realizoi 27 pike dhe 12 “rebound”, ndërsa në radhët e kampionëve në fuqi spikati si zakonisht Stephen Curry me 29 pikë, 7 asiste dhe 5 “rebound”.
Dëmtimi i LeBron James dha efektet e para te Los Angeles Lakers, që u mposhtën në një finale spektakolare me vetëm një pikë diference 117-116 në parketin e Sacramento Kings. Nuk mjaftoi për kalifornianët Kyle Kuzma me 33 pikë, 4 asiste dhe 9 topa poshtë koshit, ndërsa në radhët e Kings rolin e liderit e mori Bogdan Bogdanovic, që pikërisht në momentin e rënies së sirenës për përfundimin e takimit realizoi një trepikësh shumë të rëndë, që çoi në ekstazë publikun vendës.
Houston Rockets “u treguan dhëmbët” Boston Celtics më “Toyota Center”, duke fituar me rezultatin 127-113 me spektaklin e MVP-së së sezonit të kaluar, James Harden, që ishte shkatërrimtar për kundërshtarët me plot 45 pikë. Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për Rockets, pavarësisht mungesës së një pike të rëndësishme si Chris Paul. Dha një ndihmesë të rëndësishme për vendësit edhe Capela me 24 pikë dhe plot 18 “rebound”.
Utah Jazz prinsin Philadelphia 76ers, por u dorëzuan në shtëpi me rezultatin 97-114. Pavarësisht një periode të parë të mirë (29-22), Jazz patën një rënie të menjëhershme, me një rezultat të pjesshëm 73-50, që e mbylli përfundimisht përballjen. Për 76ers spikati me një “triple-double” Ben Simons (13 pikë, 14 “rebound” e 12 asiste), ndërsa realizuesit më të mirë ishin Redick dhe Embiid me 24 dhe 23 pikë.
Milwaukee Bucks morën fitoren e dytë radhazi ndaj Neë York Nicks, pas suksesit të arritur mbrëmjen e Krishtlindjes. Bucks triumfuan me rezultatin 112-97, duke e dominuar kundërshtarin në pjesën e dytë. Giannis Antetokounmpo rezultoi më i miri me 34 pikë 8 asite dhe 14 “rebound”, ndërsa Midleton shtoi 25 pikë të tjera për skuadrën nga Wisconsin.
Rezultatet:
Houston Rockets – Boston Celtics 127-113
Milwaukee Bucks – New York Knicks 112–96
Sacramento Kings – Los Angeles Lakers 117-116
Utah Jazz – Philadelphia 76ers 97-114
Golden State Warriors – Portland Trail Blazers 109-110