75 Mall Live Search
11:02 / E Shtunë, 05 Janar 2019 / indeksADMonline

Kosova me shifra shqetësuese të lëmosh kërkuesëve

Bashkë me motrën dhe shokë e shoqe, del çdo ditë në rrugë. E vogla që nuk dëshironte të tregonte emrin, flet për jetën e vështirë që bënë në rrugë, çdo ditë duke zgjatur dorën dhe kërkuar lëmosh.

“Më shajnë, pështyjnë e shpesh më largojnë me forcë, por unë afrohem se aty e kam bukën”, tha ajo.

E si ajo në tërë Kosovës kërkojnë lëmosh 556 persona, të cilët bazuar në përgjigjen e dhënë për “Indeksonline” nga Policia e Kosovës shumica janë shtetas të Shqipërisë.

“Problemi i kërkim lëmoshës si dukuri mbetet ende e pranishme në qytetet e Republikës së Kosovës sidomos në kryeqytet. Fëmijët në veçanti por edhe të rriturit të cilët kërkojnë lëmosh nuk janë vetëm shtetas të Kosovës, por sipas informacioneve dhe përvojave që kemi nga tereni një numër më i madh prej tyre janë shtetas të Shqipërisë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Por, e vogla nga komuniteti rom, e cila kohën më të madhe e kalon në afër Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë thotë se ka lindur në Kosovë dhe këtu po vazhdon të jetojë.

Sipas Policisë së Kosovës, personat që kërkojnë lëmosh konsiderohen të jetë pjesëtaret më të rrezikuar të shoqërisë, ku shumica e tyre i takojnë komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptas.

“Personat që kërkojnë lëmosh konsiderohen pjesëtarët më të rrezikuar të shoqërisë siç janë: të miturit, të moshuarit, gratë e shoqëruara me fëmijë dhe kryesisht i takojnë minoriteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas”, kanë shpjeguar ata.

Numri më i madh i personave që kërkojnë lëmosh janë nga qyteti i Prishtinës, ani pse edhe në qytetet tjera nuk është se mungojnë.

Aktualisht në Kosovë janë 362 të rritur të cilët kërkojnë lëmosh në rrugë, kurse numri fëmijëve arrin shifrën e 194 fëmijë.

Po ashtu, Policia e Kosovës në fillim të muajit dhjetor pati identifikuar 29 fëmijë të cilët kërkojnë lëmoshë.

Prej tyre, 21 ishin shtetas të Kosovës dhe tetë nga ta shtetas të Shqipërisë, të cilët sipas Policisë të gjithë kanë qenë të shoqëruar nga familjarët e tyre dhe nuk është identifikuar asnjë viktimë e trafikimit.

Numri sa i përket gjinive po ashtu ndryshon, ku prin gjinia femërore. Janë 340 femra dhe 216 meshkuj qw e zgjatin dorën nw rrugw.

Vajza nga Prishtina tregon se të kërkojë lëmosh nuk e detyron askush, përpos kushteve të këqija ekonomike që ka ajo dhe familja e saj disa anëtarëshë.

“Jo kërkush, unë vet du me dal”, tha ajo, duke dhënë përgjigje të shkurta.

Por, Policia e Kosovës gjatë këtij viti ka identifikuar me dhjetëra raste ku fëmijët janë detyruar që të kërkojnë lëmosh në rrugë.

Njëri nga rastet është ai në Prizren, ku edhe është arrestuar një grua, pjesëtare e komunitetit rom pasi që kishte detyruar dy fëmijët e saj të mitur të kërkojnë lëmosh në këtë qytet.

Rikujtojmë që para disa kohësh, Komuna e Prishtinës dhe disa organizata joqeveritare kishin planifikuar të përgatisin një plan operativ me të cilin synojnë largimin nga rruga të fëmijëve.

Sipas këtij plani, do formohej një grup që pritej të qëndrojë mbi 12 orë në rrugë për t’i evidentuar rastet kur fëmijët detyrohen të dalin në rrugë./Indeksonline/