Ahmeti: Dialogu nuk do të jetë proces i lehtë, këto janë temat që pritet të diskutohen
Ka përfunduar takimi koordinues për dialogun Kosovë-Serbi, takim ky i thirrur nga kryeparlamentari, Kadri Veseli.
Të ftuar në këtë takim ishin presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, ekipi negociator si dhe partitë opozitare.
Pas përfundimit të mbledhjes, i pari i PSD-së, pjesë e delegacionit shtetëror për dialogun, Shpend Ahmeti ka deklaruar se sot patën takimin e radhës koordinues me krerët e shtetit që sipas tij do të ndërtohet si praktikë që para dhe pas takimeve në Bruksel të sinkronizohet apo diskutohen mesazhet të cilat dërgohen nga Kosova .

“Është e qartë që pas takimit në Bruksel, më 8 janar kemi tashmë disa objektiva tepër më të qarta, e para është se kemi koordinim të plotë se nuk ka dialog teknik ku mund të flasim për një temë dhe më pas të shohim se a do të implementohet apo jo. Është e qartë se ky dialog nënkupton njohje të ndërsjellë dhe në qoftë se nuk ka njohje të ndërsjellë dhe nuk ka perspektivë për anëtarësim në organizatat e Kombeve të Bashkuara, atëherë asnjëra nga pikat e marrëveshjes nuk do të jetë.Kemi njoftuar krerët shtetëror për temat të cilat priten të diskutohen, përfshirë këtu të zhdukurit, të zhvendosurit dhe trashëgiminë kulturore, pronat e çështjet ekonomike. Poashtu kemi informuar për krijimin e 6 komisioneve si pjesë e Delegacionit Shtetëror”, ka thënë Ahmeti, shkruan Indeksonline.
Tutje Ahmeti shtoi se sot në Kosovë fillon vizitën një i dërguar i Përfaqësues së Lartë të BE-së, Federica Mogheirni.
“Sot në Kosovë fillon vizitën një i dërguar nga zyra e Mogherinit që me anëtarët e tjerë do të diskutojnë për oraret e diskutimet në mujorët e ardhshëm. Do të mundohemi të përdorim këtë dritare të hapur për marrëveshje me Serbinë, por është e qartë se nuk do të thotë kjo gatishmëri për kompromise të tjera. Kemi Kushtetutën dhe shtetin tonë të shpallur dhe thjeshtë po ecim përpara për të konsoliduar pavarësinë dhe sovranitetin e plotë të Republikës së Kosovës për të anëtarësuar Kosovën në organizatat e huaja. Nuk do të jetë proces i lehtë pasi do diskutohen edhe tema të rënda. Delegacioni shtetëror do të jetë këtu që të diskutojë edhe me qytetarët, shoqërinë civile dhe partitë politike por edhe t’i raportojë Kuvendit, do të tregojmë çdo gjë që na thonë dhe dëgjojmë”, ka përfunduar Ahmeti./Indeksonline/