Zhvillimi ekonomik lokal, prioritet për këtë vit
Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur në takim pune kryetarët e Komunave në kuadër të “Forumi Konsultativ Qeveri – Komuna”.
Me këtë rast, Haradinaj, ka thënë se gjatë vitit të kaluar kanë adresuar shumë sfida që kanë të bëjnë me komunat.

“Përgjatë vitit 2018 janë identifikuar dhe adresuar shumë sfida që kanë të bëjnë me komunat. Disa prej tyre po i theksoj dhe po filloj me aprovimin e ligjit për dhënien në shërbim të pronave. Kemi aprovuar mbi 50 vendime që janë kërkesa të komunave. I kemi edhe 14 kërkesa të reja nga komunat, por duhet të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Çdo kërkesë që është për zhvillim ekonomik është trajtuar me prioritet. Sa i përket buxhetit e di që nuk jeni të kënaqur. Për vitin që vjen ne na duhet të shkojmë me prioritet se çka kanë mbetur punët pa bërë”, tha Haradinaj.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se granti për komunat po rritet vazhdimisht. Por ai ka pasur një lutje për të gjithë kryetarët e komunave.
” Niveli lokal inkasimin vetanak e mban në një nivel të njëjtë dhe mungesa e inkasimit të të hyrave ju vështirëson realizimin e projekteve. Janë disa iniciativa ligjore që juve iu lehtësojnë humbjen. Këtë vit i kemi planifikuar në buxhet financimin e dy ligjeve, ligji për Prishtinën dhe për Obiliqin. I kemi marrë në konsideratë shumë projekte të komunave dhe shumë projekte të tjera janë prej nivelit qendror për nivelin lokal. Kanë qenë 5 marrëveshje me qeverinë austriake, të gjitha janë aprovuar. Janë gjithashtu edhe një numër i konsiderueshëm me qeverinë hungareze”, tha ai.
Ndërsa kyetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Veliu, këroi rekomandimet e këtij asociacioni të merren parasysh.

“Ju lutemi që rekomandimet që vijnë nga komunat përmes asociacionit të merren parasysh”, tha ai.
Ndërsa koordinatori nacional për reforma shtetërore, Besnik Tahiri, ka thënë se këtë vit prioritet e kanë zhvillimin ekonomik lokal.
“Ne kemi miratuar strategjinë për zhvillimin ekonomik lokal. Kemi kaluar një numër të madh të pronave tek ju, tutje janë edhe disa ligje te tjera. Do të themelojmë një departament të veçantë që do të merret me nivelin lokal. Do të punojmë ngushtë me kryetarin e Asociacionit të Komunave”, tha ai.


