Komuna e Istogut me 45 mijë euro për dreka zyrtare, 2700 minuta telefon në ditë!
Viti 2018 po del të ketë qenë vit i luksit për komunën e Istogut.
Vetëm gjatë vitit që lamë pas, komuna e udhëhequr nga Haki Rugova ka shpenzuar mbi 45 mijë euro për dreka zyrtare, që i bije të jenë 182 euro në ditë për dreka.
Poashtu, bazuar në mesatare, komuna e Istogutt ka shpenzuar 2700 minuta biseda telefonike brenda një ditë. Publikimet janë paraqitur nga kryetari i Vetëvendosjes në Istog, Agron Avdiaj.
“Komuna e Istogut me keqpërdorime/shpenzime të mëdha të parasë publike në kategori të ndryshme të shpenzimeve gjatë vitit 2018
Komuna e Istogut gjatë vitit 2018 ka shpenzuar 45,508.00€ për dreka zyrtare, ose 182.76 euro në ditë. Kjo i bije 2.5 euro shujta mesatare x 73 shujta në ditë.
Gjatë vitit 2018 janë shpenzuar gjithësej 26,867.15 euro ose 107.90 euro në ditë për komunikimet me telefon. Shprehur në minuta i bije 2700 minuta komunikime telefonike në dite.
Ne vlerësojmë se shpenzimi buxhetit komunal duhet të fokusohet më shumë në funksion të rritjes së mirëqenjës së qytetarëve e jo në shpenzime të lluksit” shkruan Avdiaj në njoftim./Indeksonline/
