75 Mall Live Search
16:03 / E Martë, 29 Janar 2019 / indeksADMonline

Aktakuzë për tentimvrasje në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër personave me inicialet K.S., D.S., M.B., S.K., dhe E.E., për veprat penale: “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”; “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”; “Mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve” “Vrasje e rëndë në ndihmë e mbetur në tentativë”, si dhe për veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo i kryerësve” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës” (KPRK).

Sipas aktakuzës, me datë 19 shtator 2018 rreth orës 22:20 minuta, në Prizren në lagjen “Kurillë” i akuzuari K.S., duke qenë në shoqëri me të pandehurit tjerë D.S., M.B., S.K. dhe E.E., tenton të privojë nga jeta personat tjerë, gjegjësisht të dëmtuarit M.B., M.B. dhe Q.G., në atë mënyrë që në natën kritike me automjetin “Opel Vectra”të cilin ka qenë duke e drejtuar i akuzuari D.S., kur mbërrijnë në rrugën “Agim Shala”, pasi që e vërejnë se në drejtim të tyre është duke ardhur automjeti i markës “Audi”, duke manovruar me automjet u dalin përpara të dëmtuarve dhe i detyrojnë të ngadalësojnë automjetin, dhe në këtë mënyrë dalin nga automjeti dhe me pushkën e tipit “Kallashnikov”, i akuzuari K.S., gjuan në drejtim të automjetit të të dëmtuarve, me ç’rast një predhë e godet frigoriferin dhe xhamat e vitrinës së një lokali në afërsi të vendit të ngjarjes. Të dëmtuarit nga frika, me automjetin e tyre, me shpejtësi largohen nga vendi i ngjarjes.

Në këtë mënyrë i akuzuari K.S., ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” nga neni 179 paragrafi 1 pika 1.5 lidhur me nenin 28 të KPRK-së; “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 365 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së.

Ndërkaq, i akuzuari D.S., akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë në ndihmë e mbetur në tentativë” nga neni 179 paragrafi 1 pika 1.5 lidhur me nenin 28 dhe 33 të KPRK-së.

Kurse, të akuzuarit M.B., S.K. dhe E.E., akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo i kryerësve” nga neni 386 paragrafi 1 pika 1.1 lidhur me nenin 31 të KPRK – së.

Të pandehurit K.S. dhe D.S., gjenden në paraburgim, dhe prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të vazhdohet kjo masë dhe që të konfiskohet pushka automatike e tipit “Kallashnikov”dhe te akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë./Indeksonline/