75 Mall Live Search
19:14 / E Mërkurë, 30 Janar 2019 / indeksADMonline

Qeveria tregon çka u diskutua në takimin e liderëve të koalicionit qeverisës

Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje për takimin e sotëm të liderëve të koalicionit qeverisës, që zgjati më shumë se dy orë.

Në një njoftim për media, Qeveria ka bërë të ditur se në takim u fol për zhvillimet e fundit, institucionet, buxhetin, taksën 100% dhe dialogun, transmeton Indeksonline.

Më poshtë njoftimi i plotë i Qeverisë:

Në takimin e sotëm të liderëve të partive të koalicionit qeverisës, u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, për funksionimin e institucioneve, përmbushjen e agjendës qeverisëse dhe legjislative, me theks të posaçëm aprovimin e Buxhetit 2019, pakon e ligjeve përcjellëse, platformën e dialogut dhe çështjen e taksës. 

Partnerët e koalicionit janë dakorduar që ditëve në vazhdim t’i intensifikojnë veprimet dhe aktivitetet drejt harmonizimit të vendimmarrjes për sa u takon temave të sipërpërmendura. 

Gjatë takimit është biseduar kryesisht për aspektet kryesore që ndërlidhen me platformën e dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës. 

Platforma e Dialogut do të reflektojë pozicionin unik të institucioneve të vendit për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht e Obligueshme, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Po ashtu, liderët e koalicionit u zotuan për intensifikimin e hapave dhe bashkërendimin e vendimeve me partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA-të dhe BE-në. 

Është vlerësim i përbashkët se koalicioni është funksional dhe stabil. Do të vazhdohet me përkushtim në arritjen e qëllimeve në përputhje me objektivat programore qeverisëse.