75 Mall Live Search
14:14 / E Hënë, 04 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Zvarritja e procesit gjyqësor ndaj veteranëve, njohësin dyshojnë në përfundim të keq të procesit

Ishte paraparë që të hënën e kaluar të zhvillohej seanca e parë gjyqësore ndaj 12 të akuzuarve në rastin e njohur si ‘Veteranët e rrejshëm’. Por pavarësisht kësaj, seanca e paraparë nuk u zhvillua. Madje kjo seancë fillestare u shty për datën 14 mars.

Seanca në fjalë nuk u zhvillua pasi ndër të tjerash u tha se shumë prej të akuzuarve kanë pranuar shkresën e lëndës, por jo edhe ftesën për klientët që të paraqiten në seancë.

Lidhur me këtë, njohësit e çështjeve të drejtësisë shprehen se jo vetëm në rastin e veteranëve, por në çdo rast duhet të veprohet konform me ligjin aplikativ.

I kontaktuar nga Indeksonline, Gzim Shala nga IKD ka thënë se janë dukuri mjaft shqetësuese rastet ku personat e akuzuar për vepra penale të korrupsionit mbajnë ende pozita të larta shtetërore.

Sipas Shalës në rastin e të hënës së kaluar të 12 të akuzuarve për rastin e njohur si ‘Veteranët e rrejshëm’ është vërtetuar drejtësia selektive e sistemit gjyqësor në raport me të akuzuarit e profilit të lartë.

“Në këtë mënyrë, siç kemi identifikuar raste edhe në të kaluarën, shohim se ka persona të caktuar të cilët në mëngjes paraqiten në gjykatë si të akuzuar për korrupsion, ndërsa pasdite shihen në mbledhje të qeverisë duke hartuar dhe miratuar politika publike”, ka thënë ai.

Sipas tij nëse gjithçka do të ishte siç duhet, Gjykata është dashur të autorizojë policinë për ta sjellë të pandehurin në seancë, në këtë rast ministrin Rrustem Berisha.

“Në raste të ngjashme kur nuk është arsyetuar mungesa, si në rastin e ministrit Rrustem Berisha,  gjykata ka lëshuar urdhërarrest. Të njëjtin veprim është dashur edhe tani ta ndërmarrë kjo gjykatë, dhe jo thjesht të konstatoj se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e saj. Pra, Gjykata është dashur që ta autorizoj policinë që ta sjellë të pandehurin në gjykatë, përkatësisht ministrin Rrustem Berisha”, ka shtuar Shala.

I njëjti ka deklaruar se është mjaft shqetësuese fakti se një rast kaq i rëndësishëm është zvarritur mjaft shumë deri tani, e të caktohet seanca e radhës në mars.

“Kjo dëshmon që në start mosgatishmërinë e sistemit të drejtësisë për ta trajtuar me seriozitet dhe efikasitet këtë rast”, ka përfunduar njohësi i çështjeve të drejtësisë, Shala.

E njohësi i çështjeve të drejtësisë në vend, Riza Smaka është shprehur se fillimi i keq ka edhe përfundimin e tillë.

“Statusi i veteranit do të ishte dashtë të konstatohej sipas ligjit special në procedurë administrative e jo sikur të mos kishim pas as shtet as institucione. Në këtë pështjellim jo të rastësishëm do të duhej të hiqet tërësish procesi i deritanishëm dhe ai do të duhej aplikuar sipas ligjit special paraprakisht të miratuar për këtë tematikë”, ka thënë Smaka.

Tutje i njëjti tha se do të duhej të zbuloheshin personat zyrtarë që kanë ndërhyrë në këtë çështje si dhe të veprohet konform me ligjin aplikativ.

“Rrjedhimisht do të zbuloheshin dallaverxhinjët me provenience zyrtare si dhe të personave të stimuluar sikundër të kishin merita për statusin e veteranit. Përfundimisht jo vetëm në këtë tematikë, por në të gjitha rastet me dëshirë apo pa të, të veprohet konform me ligjin aplikativ”, ka përfunduar Smaka.

Duhet përkujtuar që në aktakuzë është propozuar që Gjykata të lëshojë masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale. Sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale në bazë të provave të siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshëm për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68 milionë e 153 mijë euro./Indeksonline/