Walker: Vizita ime sot në Shtime është për të mirë, pasi çdoherë vija për ndonjë rast të zymtë
Sot është bërë përurimi i sallës së sportit në komunën e Shtimes.
Qytetarët e Shtimes sot nuk kishin vetëm gëzimin për 11 vjetorin e pavarësisë së Kosovës por edhe për përurimin e sallës së sporteve, sallë që iu kishte munguar shumë qytetarëve të kësaj komune.
Në këtë ceremoni të pranishëm ishin kryetari i komunës së Shtimes, Naser Ismajli, kryetari i kuvendit Kadri Veseli, qytetar nderi i shpallur kohë më parë nga Komuna e Shtimes, Willam Wallker, si dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.
Kryetari i kuvendit, Kadri Veseli u shpreh mjaft i lumtur me rastin e përurimit të kësaj salle duke treguar se edhe vet ardhja e Wallker në këtë ceremoni ishte e rastësishme.
Walker tha se kjo është një rastësi shumë e këndshme për të që të jetë në mesin e qytetarëve të Shtimes edhe për ngjarje si kjo.
“Për mua ka qene një befasi shumë e këndshme ftesa nga kryeparlamentarin i parlamentit të Kosovës që të vijë këtu të shohë qytetin e Shtimes dhe të shohë të arriturat e këtij qyteti me këtë sallë shumë të bukur. Para disa minutash siç i thash edhe kryetarit të Komunës që e njohë për shumë vite tash. Zakonisht sa herë që vizitoj qytetin e Shtimes unë vijë për një rast të zymtë për diçka që ka ndodhur para 20 viteve që ka ndodhur në masakrën e Reçakut. Papritmas vizita ime këtu sot dhe duke parë se çfarë investime keni bërë për të mirën e qytetit dhe për qytetarët e kësaj rrethine me të vërtete unë po buzëqesh dhe me të vërtetë se jam shumë i kënaqur” pohoi Walker.
Kryetari i Komunës së Shtime falënderoi institucionet qeveritare që ndihmuan në ndërtimin e kësaj salle dhe pohoi që në këtë sallë do të krijohen shumë kampionë në rrafshin sportiv.
“Sot kur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës kanë një gëzim pavarësinë e Kosovës, ne kemi dy; pavarësinë e Kosovës dhe përurimin e palestres së sportit, një nga projektet më të mirëpritura dhe më të dashura për komunën dhe qytetarët e komunës sonë. I nderuri kryetari Veseli i nderuar ministër Gashi u jemi mirënjohës shumë për punën, angazhimin dh përkushtimin që ju e dhatë që sot ne të finalizojmë këtë projekt, projekt i cili është me kapitali dhe më i rëndësishëm për komunën tonë. Ky projekt është në mesin e 5 projekteve më të mira dhe më funksionale në Republikën e Kosovës dhe besoj ashtu siç ka ndodhur deri më tani që komuna e Shtimes nga potenciali i rinisë të jap shumë sportistë, të cilët kanë arritur shumë suksese edhe kolektive edhe individuale jo vetëm brenda Kosovës por edhe jashtë saj besoj që një projekt i tillë do t’ua krijojë mundësinë sportistëve tanë që talentin e tyre të mund ta zhvillojnë”, u shpreh i pari i komunës së Shtimes./Indeksonline/