Dy asistime të Xhakës dhe një gol i Mustafit, kualifikojnë tutje Arsenalin
Arsenali e ka mposhtur 3-0 Bate Borisov në stadiumin “Emirates”, për t’u kualifikuar në mesin e 16 skuadrave më të mira në Europa League.
Arsenali ka prerë bletën për fazën tjetër të Europa League.
Pas humbjes 1-0 nga Bate Borisov në ndeshjen e parë, të shumtë dyshuan në formën e “Topçinjve”.
Por, skuadra e Unai Emery ka bërë një ndeshje të kompletuar në takimin kthyes në “Emirates”, duke triumfuar 3-0, për t’u kualifikuar në mesin e 16 më të mirave në Europa League pas triumfit me rezultat të përgjithshëm, 3-1.

Ndeshja e kthimit nisi siç është më së miri për djelmoshat e Unai Emery.
Zakhar Volkov dërgoi topin në portën e skuadrës së tij për të zhbllokuar rezultatin në këtë takim.
Për 2-0 u përkujdes mbrojtësi shqiptar, Shkodran Mustafi, në minutën e 39’, pasi një harkimi të bukur nga këndi nga Granit Xhaka, me të cilin rezultat u mbyll pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, Arsenali nuk lejoi befasi dhe arriti të shënojë edhe golin e tretë, golin e qetësisë, që doli të jetë përfundimtar i takimit.
Ishte mbrojtësi, Sokratis Papastathopoulos, ai që shënoi për 3-0, 4 minuta pasi hyri në lojë, në vend të Laurent Koscielny, duke ndihmuar kështu “Topçinjtë” për t’u kualifikuar në fazën tjetër të Europa League.
Emery e di se triumfi në Europa League është një shans i artë për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve, pasi në renditjen e Premierligës gjendet jashtë zonës Champions dhe duhet të luftojë me Manchester Unitedin e Chelsean për një vend.