Trajnerit të Realit i duket normale humbja 0-3 ndaj Barcës
Santiago Solari thotë se Real Madridi pësoi një “humbje me nder” ndaj Barcelonës, në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Mbretit, por këmbëngul se arritja në këtë raund nuk ishte dështim për të tijtë.
Luis Suarez shënoi dy herë për katalanasit, ndërsa detyroi Raphael Varane të bënte autogol në fitoren 3-0 të Barcelonës në “Santiago Bernabeu”. Kujtojmë se gjysmëfinalja e parë kishte përfunduar në barazimin 1-1.
Blaugranët janë në finalen e gjashtë radhazi të Kupës së Mbretit, duke e fituar trofeun katër vite me radhë. Tashmë, shpresat e tyre për “tripletë” në sezonin 2018-2019 mbeten të gjalla.

Ndërkohë, Real Madridi e di se Liga e Kampionëve është shansi më i mirë për të shpëtuar sezonin, ndërsa e sheh veten aktualisht nëntë pikë prapa liderëve të La Liga-s (Barcelona).
Megjithatë, Solari mendon se disfata ndaj skuadrës së Ernesto Valverde nuk duhet të konsiderohet një rezultat katastrofik.
“Futbolli është një lojë force. Ne e treguam veten mirë, patëm energji, por nuk ishim vendimtarë në finalizim. Jemi mundur me nder, por jemi të trishtuar për shkak se kjo është një goditje e vështirë, që marrim”.
“Natyrisht, kemi keqardhje, sepse ishte gjysmëfinale dhe nuk do të jemi në gjendje të luajmë finalen, kështu që do të duhet të provojmë përsëri në të ardhmen. Ne patëm shanse në pjesën e parë, por edhe në të dytën, kur rezultati ishte 1-0”.

“Nuk kam menduar kurrë se e kemi humbur kontrollin e lojës, por Barcelona shënoi me goditjen e parë në portë dhe pastaj u ndëshkuam nga një autogol. Nuk kemi shënuar, kur kemi pasur shanset tona dhe nuk ka asgjë tjetër për të shtuar mbi këtë”.
“Vinicius Junior humbi dy shanse të mira në pjesën e parë, para se Suarez të zhbllokojë shifrat, por Solari është i bindur se 18-vjeçari do të përmirësohet në finalizim me kalimin e kohës: “Është diçka, që mund të përmirësohet me kalimin e kohës, me maturi dhe stërvitje. Nuk kemi shumë kohë në mes të ndeshjeve, por mund të përmirësohet gjatë trajnimit”.