Trajneri i Prishtinës fajëson gjyqtarin për barazimin
Prishtina ka bërë një hap mbrapa në luftën për titull duke barazuar në “Fadil Vokrri” me rivalin direkt, Feronikelin.
Trajneri i skuadrës vendase, Mirel Josa ka analizuar ndeshjen dhe gjithashtu ka pasur vërejtje në mënyrën e gjykimit.
“Nuk mund të themi se jemi të kënaqur me barazim, por jam i kënaqur me mënyrën se si skuadra vrapoi, si pati dëshirë të luajë. Duhej të ishim më të qartë sidomos në disa momente. Edhe kur mbetëm me 10 futbollistë duhej të kërkonim më tepër. Ndoshta duhej të bëja zëvendësimin e Jasharoskit me Hoxhën, por gjithsesi mendoj se loja u përcaktua nga episodet”, ka thënë trajneri nga Shqipëria për “Super Sport”.
“Siç morëm ne karton të kuq, mund të merrte edhe Feronikeli, sepse portieri ishte komplet jashtë porte dhe Ahmeti mund të shikonte më lehtë në portë por të mos pengohej në atë mënyrë. Nuk kërkoj justifikim, por standardet e gjykimit nuk janë të njëjta si në Prishtinë si diku tjetër”, ka shtuar Mirel Josa. /IndeksOnline/