Vllasi: Serbia po krijon mjegull për të përfituar në dialog
Njohësi i çështjeve politike në vend, Azem Vllasi thotë se në Kosovë është krijuar një gjendje kaotike si në skenën politike ashtu edhe në të pushtetit dhe për këtë fajtor është Serbia.
“Problemi kryesor është se është një gjendje kaotike në Kosovë, në skenën politike dhe të pushtetit dhe më së shumti lidhur me dialogun me Serbinë. Më shumë ka konfrontime të brendshme lidhur me dialogun me Serbinë se sa që jemi të zbehur karshi Serbisë dhe kundër pretendimeve të Serbisë që të përfitojë në llogari të Kosovës, të përfitojë në dialog”, ka thënë Vllasi në një prononcim për Indeksonline.
Sipas tij, e rëndësishme është që në këtë dialog të arrihet një marrëveshje e pranueshme për palën kosovare.
“Mbi të gjitha, më e rëndësishme është që ajo të jetë një marrëveshje e pranueshme për neve, të jetë një marrëveshje e qëndrueshme. Ne prej Serbisë nuk po kërkojmë kurgjo as territore as gjëra tjera. Përveç që duhet të jetë kjo tema e fatit të pagjeturëve, viktimave të luftës, dëmeve të luftës ajo do të zgjidhet me një dinamikë të caktuar kohore”, vlerëson ai.
Vllasi përmend faktin që Kosova nuk i ka as edhe një borxh shtetit serb dhe se këta të fundit haptazi duhet të tregojnë se çfarë pretendimesh kanë.

“Ndërsa, Serbia duhet haptas të tregojë konkretisht çfarë pretendimesh ka ndaj Kosovës. Na nuk i kemi asnjë borxh Serbisë, linia e fundit e kompromisit ishte plani i Ahtisarit dhe mund të bisedojmë vetëm për tema tjera që qëndrojnë kah normalizimi i raporteve ndërshtetërore dhe këto sjellin deri tek njohja reciproke. Kosova nuk i ka borxh asgjë Serbisë, Kosova është ajo e cila duhet të kërkojë, prandaj duhet haptas me ndihmën e faktorëve ndërkombëtarë të arrihet një marrëveshje e pala serbe të tregojë se çfarë pretendimesh ka”, ka shtuar tutje ai.
Sipas Vllasit, Serbia po krijon mjegull duke u munduar të përfitojë në kuadër të dialogut.
Me rezolutën e re, Vllasi kujton faktin se nuk do të përmendet fare tema e ndryshimit të kufijve apo ndërrimi i territoreve. /Indeksonline/