Vllasi: Qeveria Haradinaj nuk është në rrezik, partnerët e koalicionit s’kanë interes me rrëzu
Tash e sa muaj përfaqësues të partive opozitare kanë shprehur gatishmërinë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, kjo për faktin se të njëjtit janë të pakënaqur me qeverinë Haradinaj.
Njohësi i çështjeve politike në vend, Azem Vllasi thotë se në këtë kohë zgjedhjet nuk do të ishin të përshtatshme, kjo pasi që edhe faktori ndërkombëtar janë të përqëndruar në dialogun me Serbinë.
“Nuk mendoj se do të ishte rrugëdalje nga kjo situatë me zgjedhje të jashtëzakonshme, janë përqendru edhe amerikantë edhe faktorët tjerë ndërkombëtarë që disi të vazhdohet me dialogun me Serbinë, e me shku në zgjedhje të reja merr shumë kohë. Ajo e bënë një rirreshtim në skenën politike, një qeveri e re, pregatitje të reja, në atë rast para vjeshtës nuk ka vazhdim të dialogut. Ndërkombëtarët po thonë që me vazhdu edhe mundësisht disi me përfundu dialogun me Serbinë, e atëherë duhet me ju thanë që s’jemi gati”, ka thënë Vllasi në një bisedë për Indeksonline.

Vllasi thotë se marrëdhëniet me faktorin ndërkombëtar janë përkeqësuar, sidomos me amerikanët e që sipas tij zgjedhjet e parakohshme do t’i përkeqësonin edhe më shumë ato.
“E sjellim veten në një situatë të palakueshme para faktorëve ndërkombëtarë, e është për tu brengos që me miqtë tanë ndërkombëtar e edhe me amerikanët i kemi keqësu marrëdhëniet lidhur me dialogun me Serbinë. Jo taksa, jo fërkimeve tjera të brendshme këtu mes njerëzve nga pushteti, ashtu që me zgjedhje të jashtëzakonshme veçse do t’ia komplikonim situatën edhe më shumë dhe pa shansa që do të konsolidohemi më shumë”, vlerësoi tutje Vllasi.
Vllasi konsideron se Qeveria Haradinaj nuk është në rrezik, kjo për faktin se as partnerët e koalicionit nuk kanë interes për ta rrëzuar.

“Qeveria e Haradinaj nuk është në rrezik, ngase as partnerët e koalicionit nuk kanë interes me rrëzu këtë qeveri, as opozita as partitë e koalicionit nuk janë aq të nxehtë e të vullnetshëm se asnjëri nuk e dinë qysh kalon në zgjedhje të reja, dhe prapë pas zgjedhjeve duhet me bë një farë koalicioni i cili nuk ka mundësi me dalë më i mirë me i frytshëm se sa ky që është tash. Sille-pshtille mbetet skemë e njejtë”, ka thënë Vllasi.
Kujtojmë faktin se është Lidhja Demokratike e Kosovës, ajo e cila tash e sa muaj po përmend mundësinë për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, porse të njëjtit nuk është se kanë siguruar nënshkrimet e nevojshme në një mocion mosbesimi. /Indeksonline/