Ministri serb, nga 6 mijë € sa kishte në dispozicion për dreka dhe darka, ka shpenzuar vetëm 932 €
Kabineti i ministrit të Ministrisë për Komunitetet dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, për dreka dhe darka, gjatë vitit 2018, ka shpenzuar afro 6 mijë euro, njofton Indeksonline.
Sipas të dhënave të siguruara nga kjo ministri, Jevtiq së bashku me katër zëvendësministrat e tij, shefin e kabinetit dhe pesë këshilltarët e tij, nga shpenzimet e reprezentacionit, kanë harxhuar 5 mijë e 890 euro e 39 cent.
Shpenzimet e reprezentacionit janë të rregulluara përmes një udhëzimi administrativ. Aty theksohet mënyra se si duhet të menaxhohen mjetet financiare.
Shpenzimet e reprezentacionit, sipas këtij Udhëzimi Administrativ janë të gjitha shpenzimet që bëhen me rastin e kryerjes së punëve dhe detyrave, siç janë drekat apo darkat me delegacione të ndryshme, pijet gjatë takimeve të ndryshme, si dhe dhuratat e rastit.
Sipas nenit 5 të këtij udhëzimit, shpenzimet janë të pakufizuara për kryeministrin dhe zëvendëskryeministrin.
Ndërsa, shpenzimet për ministrat kufizohen deri në 500 euro në muaj, zëvendës ministrat deri në 200 euro në muaj, këshilltarët politikë deri në 100 euro në muaj, shefat e kabinetit të ministrave deri në 50 euro në muaj e kështu me radhë.
Në këtë udhëzim specifikohet se ‘shpenzimet e reprezentacionit përdoren vetëm për mbulimin e shpenzimeve të takimeve zyrtare dhe nuk mund të përdoren për qëllime të tjera’.
E më shumë se vet kreu i Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, për dreka dhe darka ka shpenzuar zëvendësministri Qazim Rahmani.
Derisa ministri Jevtiq, për një vit, ka shpenzuar 932 euro e 32 cent, vartësi i tij, zëvendësministri Rahmani, ka harxhuar 1 mijë e 70 euro e 19 cent.
Për të shpenzuar, sipas udhëzimit për caktimin e shpenzimeve të reprezentacionit për zyrtarët e institucioneve të qeverisë, ministri Dalibor Jevtiq kishte në dispozicion 6 mijë euro.
Më së paku, për një vit ka shpenzuar shefi i kabinetit të ministrit Dalibor Jevtiq, Igor Saviq.
Ndonëse nuk janë bërë të ditura detajet, në raportin e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim thuhet se kabineti i ministrit, ka shpenzuar mbi 12 mijë euro për bileta të aeroplanit.
Ndërsa, për shpenzime të roamingut, ministri Dalibor Jevtiq, dhe zëvendësministrat: Milazim Gashi, Naser Meta, Qazim Rahmani, Florent Hoxha, kanë shpenzuar 2 mijë e 918 euro e 91 cent.
Ndryshe kjo ministri, për shpenzime të reprezentacionit, sipas të dhënave të siguruara nga GAP, vitin e kaluar ka shpenzuar 7 mijë e 688 euro. /Indeksonline/