SBASHK-u, kontribues i mosmarrëveshjeve brenda koalicionit qeveritar
Drejtues të SBASHK-ut përsëri janë shprehur kundër zëvendësimit të orëve të humbura gjatë kohës së grevës.
Rrahman Jashari së fundmi ka thënë se nuk do të kishte kuptim mbajtja e grevës e më pas të kompensoheshin ditët e humbura të punës, pasi sipas tij edhe Ligji i grevave nuk parashikon një gjë të tillë.
Drejtuesi i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci, ka thënë se është për tu befasuar me debatin që po bëhet për orët e humbura.
Poashtu sipas tij, është e mundur që gjendjes së krijuar t’i kenë kontribuar mosmarrëveshjet dhe rivalitetet brenda koalicionit qeverisës.
“Është për t’u befasuar me tensionet që përcjellin debatin rreth zëvendësimit të orëve të humbura. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur të humben 15 ditë pune për shkak të grevës dhe të mos zëvendësohen orët e humbura, përkundër faktit se janë përmbushur kërkesat e grevistëve”, ka thënë Pupovci në një bisedë për Indeksonline.
Sipas tij, zëvendësimin e orëve të humbura do të duhej ta organizonte vet shkolla, pasi që duhet të përmbushet numri i përcaktuar i ditëve të punës.
“Në kushte normale, zëvendësimin do ta organizonin vet shkollat, pa pasur nevojë për urdhër nga MASHT-i, sepse viti shkollor mund të përfundojë në mënyrë legjitime vetëm atëherë kur përmbushet numri i përcaktuar i ditëve të punës e që, varësisht nga klasa, është prej 170 deri në 185”, ka thënë tutje Pupovci.
Ai thotë se këtu bëhet fjalë për një obligim normal të punës, dhe assesi për shkelje të të drejtave të njeriut.
“Në veçanti më befason insistimi i SBASHK-ut që orët të mos zëvendësohen, edhe pse nuk bëhet fjalë për shkelje të të drejtave të punonjësve të arsimit, por për një obligim normal të punës, të cilit punonjësit e arsimit nuk i janë shmangur as në kohërat më të vështira. Duke pasur parasysh se greva e mësimdhënësve përfundoi vetëm pas ndërhyrjes së kryetarit të PDK, është e mundur që gjendjes së krijuar t’i kenë kontribuar mosmarrëveshjet dhe rivalitetet brenda koalicionit PAN, të cilat më së paku kanë të bëjnë me fushën e arsimit”, ka shtuar tutje ai.
Ndryshe, brenda pak ditësh pritet të vendosë gjykata, nëse orët e humbura gjatë kohës së grevës duhet të zëvendësohen ose jo. /Indeksonline/