Kandidati për kryetar të PDK-së në Podujevë thotë se do të shërbej për ndryshimin e politikës në Llap
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Podujevë, Fahri Osmani ka folur për zgjedhjet e brendshme të degës së partisë.
Osmani i cili ka kundërkandidat ish-deputetin Naim Fetahu u ka uruar fat delegatëve për konventën zgjedhore të degës së PDK-së në Podujevë që do të mbahet nesër, transmeton Indeksonline.
Më poshtë postimi i Osmanit në Facebook:
Shumë të nderuar drejtues të strukturave të reja, anëtarë e simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës, dega në Podujevë,
Erdhëm së bashku në fund të procesit zgjedhor të brendshëm në degën e PDK –së në Podujevë. Me vullnetin e mirë për t’i dhënë procesit atë që e meriton, konkurrencën e vlerave morale e intelektuale, së bashku me shumicën nga ju, gjersa folëm gjerë e gjatë, arritëm të konceptojmë dhe ta promovojmë fuqishëm frymën pozitive, bashkimin e energjive dhe potencialeve të pa shfrytëzuara për të fuqizuar një projekt politik afatgjatë, të qëndrueshëm dhe të suksesshëm. Në vizionin tim qëndrueshmëria dhe suksesi i një projekti politik, matet me nevojën për t’i fituar zgjedhjet dhe për ta qeverisur mirë Podujevën nga e cila përfitojnë të gjithë.
Falë jush, sot kemi arritur që PDK –në në Podujevë ta bëjmë realisht partinë për të cilën ka më së shumti interesim dhe vëmendje nga qytetarët. Jam i lumtur që e kemi arritur këtë, por kjo është arritur falë jush: secilit anëtar e aktivist të PDK që ka qenë i angazhuar këto ditë.
Dua të ju uroj të gjithëve për punë të shkëlqyeshme, të ju thërras për të vazhduar edhe fazën e mbetur të përmbylljes së procesit dhe po ashtu të jeni të gatshëm për të punojmë bashkë të gjithë, në çfarëdo cilësie, t’i shërbejmë ndryshimit politik në qeverisjen e llapit, ndryshim që mund ta arrijmë vetëm ne.
I uroj të gjithë delegatët e konventës zgjedhore të degës së PDK në Podujevë që do të mbahet nesër punime të mbara, mbarësi e energji pozitive për të gjithë ju ashtu sic keni reflektuar deri më tani.
Na priftë e mbara!